Arbëri

Haradinaj: Familja Bytyçi ka përkrahjen tonë të parezervë

Foto: ZKM

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka takuar Ilir Bytyçin, vëllanë e heronjve Yll, Agron e Mehmet Bytyçi, pjesëtarë të batalionit “Atlantiku” të vrarë nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë.

Haradinaj tha se në thelb të sakrificës së vëllezërve Bytyqi, të vrarë nga forcat serbe, qëndron dimensioni i vërtetë i luftës për Kosovën.

“Heronjtë e Kosovës, Ylli, Mehmeti dhe Agroni braktisën jetën e ndërtuar në SHBA, duke u bërë pjesë e Batalionit ‘Atlantiku’, për t’iu përgjigjur thirrjes së atdheut”, tha Haradinaj në takimin me Ilir Bytyçin.

Familja Bytyçi, tha Haradinaj, e ka përkrahjen e parezervë të Qeverisë dhe shtetit të Kosovës në betejën e dytë për ta çuar drejtësinë në vend për krimin e dëshmuar dhe vrasësit ta marrin dënimin e merituar.

Haradinaj, duke i shprehur konsideratat më të larta për kontributin e çmuar të vëllezërve të tij për liri, Ilirit i ka dhuruar Medaljen Gjergj Kastrioti-Skënderbeu.