Arbëri

Berisha i gatshëm të bëhet ministër i Kthimit për të treguar si punohet për gjitha komunitetet

Descriptive Text

Deputeti i komunitetit egjiptian, Veton Berisha në emisionin “Interaktiv” të KTV-së, ka shprehur gatishmërinë për të marrë drejtimin e Ministrisë për Kthim dhe Komunitete e cila deri më tani udhëhiqet nga Dalibor Jevtiq i Listës Serbe, për të cilin ka thënë se e ka bllokuar këtë ministri

Berisha ka thënë se nga bojkoti i Listës Serbe ndaj institucioneve të Kosovës ka vështirësuar gjendjen e komuniteteve jo serbe. Ai ka thënë se ministria thirret për komunitetet ndërsa shumica e buxhetit të saj shkon vetëm për komunitetin serb.

“Unë kam ngritur këtë shqetësim më parë, për faktin se bojkoti i Listës Serbe, përdorimi i pozitës së tyre, më së shumti i ka neglizhuar komunitetet tjera, me theks të veçantë Ministria për Kthim dhe Komunitete. Jevtiq ka tri mandate që është në krye të ministrisë. Sivjet kjo ministri i ka nëntë milionë euro. Ai ka pasur mundësi të menaxhojë me 90 milionë euro dhe më së shumti është dëmtuar komunitetin egjiptian. Ministria është e paprekur. Prej ministrit e deri te administrata është e përbërë nga komuniteti serb. Krejt projektet shkojnë për komunitetin serb”, ka thënë Berisha.

“ Shprehi gatishmëri për të udhëhequr çdo ministri, por këtë rast kur bëhet fjalë për komunitetet, do jem i gatshëm të marrë këtë ministri që të tregojë se si punohet për komunitetet”, ka thënë Berisha.

“Nuk ndihemi mirë kur thirren në emër të krejt komuniteteve ndërsa 99 për qind e buxhetit të Ministrisë për Kthim dhe Komunitete shkon për komunitetin serb”, ka shtuar ai.

Deputeti i komunitetit egjiptian ka folur edhe për refuzimet që komunat ia kanë bërë refugjatëve të ardhur nga qytetet tjera, duke përmendur problemin me Obiliqin.

“Kryetarët e komunave refuzojnë t’i kthejnë refugjatët. Komuna e Obiliqit arsyetohet se ata nuk janë qytetar të Obiliqit. Refugjatët që janë nga Maqedonia ose nga Ferizaj sepse kanë blerë pronë në Obiliq pasi ka qenë më lirë, kanë të drejt të kthehen ndërsa shteti duhet t’u ndërtojë shtëpitë”, ka thënë Berisha.

Berisha ka theksuar se taksa ndaj Serbisë është e drejt.

“Bllokada që i është bërë Kosovës prek edhe komunitetin tonë. Dhe ky izolim e ka detyruar Kosovën të ndërmarrë këto masa të reciprocitetit. Masat edhe 10 për qind edhe për atë 100 për qind janë konsultuar të gjithë. Edhe taksën e përkrahim fuqishëm, pasi nuk ka rrugë tjetër. Kjo nuk është masë si hakmarrje ndaj Serbisë, por që ajo të vetëdijesohet”, u shpreh ai në Interaktiv.

Berisha thotë se duhet të ruhet raporti me SHBA-në, megjithatë kërkon që të ketë garancë nëse ajo do të pezullohej.

“Nuk mendoj se me taksën po prishet raporti me SHBA-në, por duhet të diskutohet edhe më tepër. Duhet të ruhet raporti me SHBA-në, megjithatë nuk duhet të hiqet taksa derisa të kemi siguri se Serbia nuk do të ndërmarrë atë fushatë kundër Kosovës, duhet të jemi të barabartë. Taksa ndoshta mund të diskutohet edhe në dialog. Besoj se Haradinaj e ka për obligim me ruajt raportet me SHBA-në, e kjo duhet të bëhet në secilin rast. Duhet të kemi një garanci që nëse pezullohet taksa që Serbia të ndërmerrë ato masa kundër Kosovës. Sidomos rasti në Interpol, pasi anëtarësimi i Kosovës aty do ta rriste sigurinë në rajon”, u shpreh ai në Interaktiv.

Ai thotë se Kuvendi është garanci për secilën marrëveshje me Serbinë, e mund ta ndalojë edhe Thaçin.

“Nuk mendoj se mund ta marrim Luginën pa dhënë diçka të dhimbshme. Në aspektin e dialogut duhet të jemi të konsoliduar. Nuk duhet të jenë marrëveshjet të njëanshme e ato të diskutohen. Kuvendi e ka mundësi që të ndalojë presidentin Thaçin që ta bëjë shkëmbimin e territorit të Kosovës, por nuk mendoj se do të kemi situatë që do të na vu në dilemë se çfarë duhet të diskutojmë”, u shpreh Berisha.