Përshkallëzohet protesta e opozitës në Shqipëri, Basha kërkon arrestimin e Ramës

Përfundon seanca në parlamentin shqiptar, Basha tërheq protestuesit

26 February 2019 19:04
21:01

Me qindra protestues kanë qëndruar para Kuvendit duke pritur daljen e deputetëve socialistë nga ambientet e Parlamentit.

Por teksa frika për një përplasje fizike mes tyre dhe deputetëve ishte e pranishme, kreu i PD-së, Lulzim Basha, ka tërhequr protestuesit nga selia e Kuvendit prë t’i grumbulluar para selisë blu, raporton TCH.

Një veprim ky që shmang konfrontimet e mëtejshme këtë mbrëmje.

19:04

Përshkallëzohet protesta e opozitës në Shqipëri, Basha kërkon arrestimin e Ramës

Është përshkallëzuar protesta e opozitës në Shqipëri, e cila kishte nisur e qetë rreth orës 17:00 para Parlamentit shqiptar.

Protestuesit, që drejtohen nga Lulzim Basha e Monika Kryemadhi, kanë hedhur tymuese, kurse Top Channel raporton se Policia ka hedhur gaz lotsjellës.

Derisa brenda Parlamentit po vazhdon seanca e mazhorancës protestuesit raportohet se kanë djegur edhe goma ndërsa ka pasur një përplasje ndërmjet tyre dhe Policisë.

Përplasja para godinës së Parlamentit detyruan policinë të hedhë gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit që po përpiqeshin të çanin kordonin e sigurisë.

Teksa para Parlamentit ka mbetur një numër më i vogël protestuesish, kryetarja e LSI-së u shpreh se kjo është e turpshme pasi po hidhet gazlotsjellës ndaj shqiptarëve.

“Boll vazhduat kështu, ju nuk do ta ndaloni kurrë marshimin e shqiptarëve”, theksoi ajo teksa bënte thirrje që protestuesit të mblidheshin sërish.

Ndërkohë në sfond dëgjohet policia e cila u bën thirrje qytetarëve të ruajnë qetësinë e të distancohen nga veprimet e dhunshme, pasi policia do të ushtrojë detyrën e saj.

Kurse Basha, në fjalën e mbajtur në protestë bëri thirrje për largimin e kryeministrit Edi Rama.

Ai u bëri thirrje forcave të policisë që të heqin kapelën dhe të arrestojnë Ramën.

“Arrestojeni, bëni detyrën tuaj. Arrestojeni para se ta bëjë populli”, deklaroi Basha.

Basha theksoi se beteja e nisur nga opozita do të çlirojë vendin nga krimi dhe korrupsioni.

“Sovrani është populli shqiptar dhe jo kriminelët. Kjo është një betejë që do të çlirojë vendin nga klika mafioze, duke çliruar zgjedhjet, duke çliruar vendin, do të çlirojë vogëlushët, teksa ndiejnë pamundësinë e prindërve për t’iu përgjigjur nevojave të tyre. Ky udhëtim do të çlirojë qytetarët dhe të gjithë socialistët e ndershëm”, tha Basha.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme