Arbëri

Vdekja e punëtorit në “Lab-Oil”, PSD: Shteti në shërbim të milionerëve

Foto: Koha / ilustrim

Zhvillimet rreth vdekjes tragjike të një punëtori në kompaninë e naftës “Lab-Oil”, Partia Socialdemokrate po i cilëson skandaloze.

Përderisa Krenar Jemini humbi jetën në vendin e punës, Inspektoratit të Punës nuk iu lejua qasja e menjëhershme në vendin e ngjarjes nga ana e kompanisë.

“Kjo edhe një herë dëshmon se shteti në Kosovë nuk i mbron të dobëtit. Prandaj edhe i ka lënë vetëm dhjetëra inspektorë të punës në mbarë vendin. Ai nuk është as arbitri që e sheh publiken në ndonjë sintezë përmbi palët në konflikt. Është në funksion të kapitalit tregtar dhe financiar”, deklaron PSD-ja.

“Kryeinspektori Basri Ibrahimi u la i vetëm. Nuk e pati me vete forcën e ligjit. Ligjësia e sundimit të ligjit u vërtetua edhe kësaj here: ai funksionon vetëm për të pasurit. Formulimet ligjore që krijojnë iluzionin e barazisë ‘të gjithë’ ose ‘pavarësisht nga’, se ligji qenka i njëjtë për të gjithë, mund të jenë të vërteta vetëm nëse do të ishim të gjithë milionerë. Prandaj, përvoja jonë me të është ajo e mosfunksionimit të vazhdueshëm. Në fakt, s’ka qenë e menduar ndryshe”, deklaron më tej PSD-ja.

Kjo parti thotë se nuk do të ndalen duke përsëritur se “tek arroganca e kompanisë në fjalë e shohim mungesën e organizimit sindikal”.

Partia Socialdemokrate i shpreh ngushëllime e solidaritet familjarëve dhe miqve të të ndjerit, ndërsa ka ftuar organet përgjegjëse që t’i hetojnë hollësisht shkaqet e vdekjes së punëtorit dhe t’i dënojnë përgjegjësit eventualë.