Haradinaj ka bërë ministre “serben private”, Serbia këtë s’do ta pranojë, thotë Vuçiqi Foto: Koha

Haradinaj ka bërë ministre “serben private”, Serbia këtë s’do ta pranojë, thotë Vuçiqi

25 February 2019 15:28

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq ka theksuar se Ramush Haradinaj i ka zgjedhur “serbët privatë” për ministër të vet, përcjell b92.

Sipas tij, me këtë emërim, Haradinaj e ka fyer Beogradin.

“Është e pamundur të durohen çdo ditë të gjitha fyerjet e mundshme, ashtu siç është kjo e fundit kur Ramush Haradinaj zgjedh serbët privatë për ministër të vet të cilët askush nuk i ka zgjedhur për të treguar se është i gjithëfuqishëm. Serbia këtë nuk do ta pranojë, do ta ruajë dinjitetin dhe popullin e vet e do të përpiqemi ta ruajmë stabilitetin e paqen me çdo çmim, por nuk do të lejojë që të nënçmohet populli ynë dhe mos o Zot, të sulmohet ai “, citohet të ketë thënë Vuçiqi, transmeton Koha.net.

Vuçiqi ka reaguar kështu ndaj kryeministrit Ramush Haradinaj i cili sot e emëroi Dijana Zhiviqin ministre të Bujqësisë në vend të Nenad Rikallos të shkarkuar kohë më parë nga ky post, transmeton Koha.net.

Ai sot sërish e ka përmendur taksën 100 për qind të vënë nga Qeveria e Kosovës për mallrat e Serbisë.

Ka thënë se me këtë taksë konflikti i ngrirë me Kosovën është shkrirë.

Ka përfunduar se Serbia nuk do të marrë pjesë në dialog përderisa Kosova të mos e heqë taksën ndaj mallrave serbe.

Lexoni edhe: Dijana Zhiviq, ministre e re e Bujqësisë

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme