Arbëri

Prokuroria jep sqarime për lirimin nga paraburgimi të të dyshuarit për vrasjen e Ivanoviqit

Dragisha Markoviq, njëri prej dyshuarve si i përfshirë në rastin e vrasjes së politikanit serb Oliver Ivanoviq, është liruar nga paraburgimi.

Një gjë të tillë e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Themelore të Prishtinës, Mirlinda Gashi, dhe, sipas saj, ka qenë prokuroria ajo që ka kërkuar zëvendësimin e paraburgimit me masën e arrestit shtëpiak dhe me paraqitje në polici për të dyshuarin Markoviq, raporton KTV.

Prokurori që është duke e hetuar këtë rast, Sylë Hoxha, i ka thënë KTV-së përmes telefonit se kjo kërkesë është bërë pasi që nuk janë siguruar prova të reja për të dyshuarin dhe kanë kërkuar masën e lajmërimit në polici.

“Dyshimi i vetëm për të është se ai ka qëlluar në vendin e ngjarjes në kohën e vrasjes së Ivanoviqit,” ka thënë prokurori Hoxha.

Markoviq është pjesëtar i Policisë së Kosovës dhe, edhe një herë tjetër, ishte arrestuar nga policia lidhur me rastin e Ivanoviqit, atëherë nën dyshimin për fshehjen e provave nga vendi i ngjarjes.

Dy të tjerë të dyshuar vazhdojnë të qëndrojnë në paraburgim, pasi që ka prova të reja lidhur me përfshirjen e tyre.

E, gjatë ditës, një tjetër i kërkuar nga Prokuroria Speciale si i përfshirë në këtë vrasje, nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiqiq, bashkë me zyrtarë të tjerë të partisë së tij, është parë në takim me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.