Haxhiu: Nuk duhet ta presim letrën e tretë të SHBA-së, duhet reflektim për taksën

Haxhiu: Nuk duhet ta presim letrën e tretë të SHBA-së, duhet reflektim për taksën

21 February 2019 23:49

Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu i ka bërë thirrje kryeministrit Ramush Haradinaj që të reflektojë për taksën dhe të mos e presë letrën e tretë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës që mund të përmbajë kritika më të rënda.

Haxhiu ka thënë se duhet të ruhet partneriteti me SHBA-në dhe kjo, sipas tij, mund të arrihet duke pezulluar taksën për 120 ditë, ashtu siç po bën thirrje shefi i tij, Kadri Veseli.

“Nëse e shikojmë në aspektin strategjik dhe ngjarjeve të fundit, brenda një muaji kemi dy letra të Donald Trumpit ndaj Kosovës dhe është çështje që duhet të reflektohet. Nuk do të duhet të pasohej letra e tretë. Ne duhet ta ruajmë këtë partneritet pasi e kemi një kaluar të vështirë dhe fal partneritetit kemi arritur lirinë”, ka thënë Haxhiu.

“[Haradinaj] Është i vetëdijshëm që duhet ta ruajë këtë partneritet. Nëse janë kushtet [heqja e taksës] që kanë vendosur partnerët tanë atëherë duhet të ketë reflektim”, ka shtuar Haxhiu.

Duke folur për qeverisjen e Haradinajt dhe insistimin e tij për mos heqje të taksës, Haxhiu nuk e ka quajtur krizë të koalicionit qeveritar.

“Nuk konsideroj se është në krizë. Mund të ketë mospajtime, por nuk mund të konsideroj se është në krizë. Janë mospajtime të mëdha. Për taksën ka pasur pajtueshmëri se si duhet të përfundojë kjo çështje ka opsione të ndryshme. Kam dëgjuar nga analistët se pezullimi i taksës për 120 ditë. Është situatë që i jep zgjidhje këtij problemi pasi çështja e taksës ka filluar të marrë premisa të grumbullimit të votave politike, por është me rëndësi që të mendojmë për gjeneratat e ardhshme”, ka thënë Haxhiu.


Haxhiu nuk beson se Haradinaj fjalën “qenef’ e tha për Veselin

Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu ka thënë se nuk e beson që kryeministri Haradiaj i është drejtuar Kadri Veselit me fjalën “qenef”.

“Nuk e besoj se i është referuar Veselit, kam qenë aty dhe ajo çka shihet në incizime kryeministri pas përfundimit të ceremonisë ai kalon kah mesi i ulëseve dhe takohet me Daut Haradinajn dhe Muharrem Nitajn, por nuk besoj se i është referuar Kadri Veselit”, ka thënë Haxhiu.


Haxhiu: Veseli e bëri Haradinajn kryeministër

Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, duke komentuar përplasjet PDK-AAK për taksën ndaj mallrave serbe, ka thënë se po të mos ishte partia e tij dhe kryetari i saj Kadri Veseli, Ramush Haradinaj s’do të bëhej kryeministër.

“Po të mos donte Veseli, Haradinaj s’do të bëhej kryeministër. Qeverisja s’është lojë fëmijësh. Ne jemi partia më e madhe e koalicionit, jemi violina e parë”, ka thënë ai në Interaktiv të KTV-së.

I pyetur nëse PDK-ja do të rrëzojë Haradinajn siç ka bërë me Isa Mustafën në mandatin e shkuar, Haxhiu ka thënë se ishte vetë partia e Mustafës, LDK-ja që e rrëzoi qeverinë.

“Qeverinë Mustafa e ka rrëzuar partia e vet. 16 deputetë s’votuan demarkacionin, të njëjtit që votuan pasi u zgjodh Haradinaj. Në qeveri s’rrihet për të ndenjur. Në raport me LDK-në është dashur të vinte ambasadori amerikan për t’i bindur të votonin demarkacionin. Ka pas mospajtim të brendshëm të LDK-së dhe ishin 7-8 deputetë që s’e votuan Mustafën as për kryeministër. Nëse s’e mbështet kryetarin tënd për kryeministër pse rri? Për të ndenjur në opozitë? Vendimmarrja ngeci, vendi ngeci, 2 vjet e gjysmë me të njëjtin problem. Pa hapa tutje. Ishte mocion votëbesimi. U ulën partnerët PDK e LDK, u konsiderua si koalicion i elefantëve sepse kishim 89 deputetë, por që s’mund të kalonim një marrëveshje me 80 vota”, ka thënë ai.

Aktualisht, ka thënë se s’ka iniciativë për të rrëzuar Qeverinë Haradinaj duke shtuar se beson që koalicioni do të vazhdojë tutje.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme