Vetëvendosje akuzon Thaçin për bllokimin njëvjeçar të KQZ-së

Vetëvendosje akuzon Thaçin për bllokimin njëvjeçar të KQZ-së

21 shkurt 2019 15:09

Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur konferencë për media për bllokimin një vjeçar të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga ana e presidentit Hashim Thaçi.

Në konferencë folën deputetja e Lëvizjes Albulena Haxhiu dhe anëtari i deritanishëm në KQZ nga Lëvizja Vetëvendosje, Adnan Rustemi.

“KQZ-ja është organ i rëndësishëm kushtetues për të garantuar integritetin e zgjedhjeve, por një pakicë qeveritare e politike po përpiqet artificialisht të bëhet shumicë në KQZ. Vetë Presidenti ende nuk po mund të pajtohet me faktin se Lëvizja Vetëvendosje mori mbështetjen më të madhe në zgjedhjet e qershorit të vitit 2017. Përbërja e KQZ-së, sipas Kushtetutës dhe Ligjit për zgjedhje, duhet të reflektojë rezultatin e zgjedhjeve. Pra, LVV duhet të ketë dy përfaqësues sikurse edhe LAA dhe koalicioni PAN”, thuhet në komunikatë, transmeton Koha.net.

Deputetja Haxhiu ka thënë se është e papranueshme përpjekja për të paguar shërbimet e PSD-së, AAK-së dhe Nismës ndaj Thaçit duke përdorur një institucion kushtetues siç është KQZ-ja.

“Një ditë para se të votohej rezoluta për dialogun që tenton ta shuaj vetminë e Hashim Thaçit në ndërmarrjen e tij të rrezikshme për shkëmbimin territorial, nga Zyra e Presidencës iu është dërguar të gjitha grupeve parlamentare kërkesa për dërgimin e emrave në KQZ. Përpjekjet për të përdorur institucionet kushtetuese, siç është KQZ për të paguar shërbimet e PSD-së, AAK-së dhe NISMA-s ndaj Thaçit, janë të papranueshme dhe paralajmërim i thellimit dhe zgjerimit të kapësve e të kapjes së shtetit”, ka thënë Haxhiu.

Pavarësisht kërkesës së Thaçit për dërgim të një emri, Lëvizja ka dorëzuar dy emra për dekretim në zyrën e presidencës, bazuar në Kushtetutë dhe Ligj, anëtarin e deritanishëm të KQZ, Adnan Rrustemi si dhe Nazlie Bala. Por po bëhet një vit nga kur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është bllokuar nga Presidenti dhe një vit e gjysmë nga kur është dashur që përbërja e KQZ-së të reflektojë rezultatin e zgjedhjeve të fundit. Shumë punë të vitit të kaluar dhe të këtij viti të KQZ-së që po pamundësohen.

Aktivisti Adnan Rustemi tha se, “rreth 40 asamblistë presin më shumë së një vit për të marrë detyrën, shumë kuvende komunale janë dëmtuar nga mos certifikimi i këtyre asamblistëve, shumë projekte e aktivitete të KQZ-së janë pamundësuar, shumë iniciativa të mbështetura nga organizata ndërkombëtare që kanë të bëjnë më ngritjen e kapaciteteve vepruese të KQZ-së kanë dështuar, e shumë detyrime tjera ligjore që janë në kompetencë të KQZ-së janë bllokuar, nga bllokimi që i ka bërë Presidenti”.

Prej dy muajsh dhe për të dytën herë, Lëvizja Vetëvendosje thotë se ka dorëzuar dy të nominuarit për anëtarë të KQZ-së, por Presidenti në kundërshtim me afatet ligjore nuk i ka dekretuar dhe kështu po e mban peng institucionin.

“Ne kërkojmë nga Presidenti që në përputhje me obligimet të konfirmojë sa më parë dy anëtarët tanë të KQZ-së dhe kështu të funskionalizohet KQZ-ja. Çfarëdo vendimi tjetër do të jetë i papranueshëm dhe do të kundërshtohet me të gjitha mjetet ligjore”, thuhet në komunikatë.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme