Arbëri

Rama: Opozita do të humbasë për sa kohë mendon se shqiptarët mund t’i marrë për budallenj

Foto: Alban Bujari / Koha Ditore

Kryeministri Edi Rama ka folur nga Puka në lidhje me protestën e PD-së.

Ai tha se e djathta do të vazhdojë të humbasë, pasi nuk e ka kuptuar ende pse po humbet.

“Duke treguar në Evropë imazhet e vandalizmit mbi godinën e qeverisë dhe në një rrugë që është e njohur për të gjithë është një film i parë. Sa herë që afrohen zgjedhjet ata i afrohen këtij avazi sepse nuk fitojnë dot zgjedhjet. Ndërtuan një çadër në mes të bulevardit dhe bëjnë çmos për të penguar zgjedhjet dhe reformën në drejtësi, ndërkohë që ajo po shkon përpara duke vazhduar një operacion që do të vijojë në një operacion të thellë. Ata sërish i vihen barrikadë drejtësisë dhe përdorin argumente që janë vetëdiskredituese për këdo që ka vesh e dëgjon me veshët e vet”, deklaroi Rama.

Gjithashtu kryeministri theksoi se arsyeja pse ata nuk fitojnë dot zgjedhjet është se janë problemi dhe jo zgjidhja.

“Kam thënë se për sa kohë që mendoni se shqiptarët mund t’i bëni për budallenj, shqiptarët do t’ju lënë aty ku jeni dhe jo vetëm kaq, por do të zvogëloheni gjithnjë e më shumë. Në këto zgjedhje apo të 2021 populli shqiptar do t’i lë aty ku janë ose edhe më pak”, porositi Rama.