Arbëri

Vukshinaj: Roli i diasporës përtej fuqisë ekonomike

Fjolla Vukshinaj, nga organizata joqeveritare “Germin”, ka thënë se roli i diasporës në 11 vjet shtet të Kosovës, por edhe më herët, është përtej fuqisë ekonomike.

Në Express Intervistën në KTV, Vukshinaj ka thënë se diaspora ka pas rol të madh në zhvillimin e vendit, por se mungojnë dokumentimet. Madje ka thënë se duhet të njerëzit të njohin edhe shembujt e shumtë të kontributit në luftë.

“Përtej fuqisë ekonomike që ka diaspora, roli shkon përtej. Vitet e 90-a, celulat e para të organizimit edhe të UCK-së kanë nis në diasporë. Kemi shumë raste të mira, që përveç parasë që kanë dërguar vazhdimisht ata edhe janë kthyer për të luftuar në Kosovë. Kemi batalionin Atlantiku nga SHBA-ja, madje një vajzë 15-vjeçare që u bashkua për të luftuar. Kemi rast nga Gjermania që kthehet në luftë duke e gënjyer familjen se është në Gjermani e u dërgon para. Por ai fatkeqësisht vdes dhe është tronditje e jashtëzakonshme e familjes. Këto duhet të shihen nga të gjithë”, ka thënë ajo.

Vukshinaj më tej ka thënë se pos rolit të agjentit ekonomik, diaspora ka pas kontribut të madh edhe në politikë.

“Është një dokumentar që tregon për udhëtimin e shqiptarëve të parë nga Maqedonia drejt Danimarkës. Më pas ka takime të vazhdueshme me deputetët danezë. Është edhe Adem Demaçi që ka shkuar e ka biseduar me deputetët danezë e u ka treguar për agresionin serb në Kosovë. Kjo është ndihmë tjetër. Ka shumë shembuj që ka nevojë të tregohen e të tjerët të dinë se si kanë funksionuar këto organizime. Ka klube të ndryshme, politike e jopolitike që kanë kontribuuar. Roli i diasporës ishte në vazhdimësi, me dinamizëm të lëvizshëm. Vazhdimësi e pandalur. Edhe në pasluftë shumë nga diaspora janë kthyer në Kosovë. Kanë ndërtuar shtëpi, e kanë kontribuar me shumë ndihma. Diaspora është një lloj agjenti zhvillimi. Kanë kontribuuar në shumë vende duke dërguar kompjuterë nëpër shkolla e shumë gjësende tjera”, ka thënë ajo.

Sipas saj, së fundmi ka një ftohje nga diaspora apo ka mungesë besimi karshi institucioneve. Ajo ka thënë se tashmë shumë organizime janë shuar. Ka lavdëruar hapjen e ministrisë së Diasporës, por ka thënë se politika nuk po ka strategji afatgjate për avancim të raporteve me diasporën.

Sa i përket ndihmës financiare që diaspora bën për Kosovën, Vukshinaj ka thënë se në periudhën 2008-2018, diaspora në Kosovë ka sjellë 6 miliardë euro përmes remitencave.

Sipas këtij raporti, në muaj nga diaspora në Kosovë hyjnë 60 milionë euro, pa llogaritur investimet nëpër biznese, blerje të shtëpive apo banesave.