Për herë të parë në Shqipëri mbahet “South Outdoor Festival”, një festival që këtë vit do të zhvillohet në Pilur të Himarës në datat 29 prill – 1 maj 2017, bën të ditur atsh.
“South Outdoor Festival” do të kthejë në kryeqendër të turizmit të Shqipërisë për tri ditë Pilurin, Himarën, Dhërmiun e zonat jugore përreth tij.
Ai ka si qëllim promovimin e rajonit jugor, duke evidentuar potencialet natyrore (deti e mali), zgjatjen e sezonit turistik dhe rritjen e të ardhurave për popullsinë vendase. Aktivitetet që pritet të zhvillohen gjatë këtyre tri ditëve në festival janë të larmishme, por më së shumti do të mbizotërojnë: aktivitetet sportive outdoor (ecje malore, çiklizëm malor, yoga, kanoe, parashutizëm, zhytje, e shumë të tjera), aktivitete kulturore, muzikë live dhe iso-polifonike, kinema e hapur dhe panair i produkteve artizanale dhe produkteve lokale.
Gjatë gjithë festivalit do të mundësohet shijimi i kulinarisë tradicionale vendase si një përvojë e veçantë duke u njohur më nga afër me traditën vendase. Qëllimi i kësaj nisme të qeverisë gjermane, mbështetur nga Ministria e Ekonomisë e Turizmit si edhe ajo e Energjetikës, synon të rrisë të ardhurat përmes turizmit e kulturës duke i paraprirë sezonit turistik veror.
Hans-Jurgen Cassens, drejtor rajonal në GIZ, është shprehur se “programi synon të sjellë një perspektivë ekonomike për zonat rurale, në këtë rast për zonat në jug. E nisim nga turizmi, sepse është një fushë që ka shumë potencial. E dimë se ka shumë turistë në jug gjatë verës, por këta turistë janë të fokusuar te plazhi. Me këtë festival duam të prezantojmë më shumë aktivitete, si: ngjitje në mal, parashutizëm etj. Do të ketë, pa dyshim, edhe muzikë, t’i japim atmosferën e vërtetë të një festivali”.
Promovimi i rajonit jugor do të përqendrohet edhe në vlerat e trashëgimisë kulturore, pasi pjesë e festivalit do të jenë edhe grupet iso-polifonike të zonës, pjesë e trashëgimisë botërore. Do të prezantohen fshatrat me shpresën se do të kuptohen asetet e tyre në aspektin e trashëgimisë kulturore. Gjithashtu në këtë festival do të marr pjesë dhe grupi polifonik të Pilurit.
Kombinimi i aktiviteteve ‘outdoor’ me kulturën e traditën mund të ndikojë në përhapjen e fjalës përmes turistëve. Kështu, pas festivalit do të kemi më shumë njerëz që do të flasin për vlerat e jugut, e shpresoj që festivali të kontribuojë në arritjen e këtij qëllimi”, – tha Cassens.
Krahas aktiviteteve sportive, vëmendje do të marrë panairi i produkteve artizanale, ndërsa gjatë tri ditëve të festivalit do të ofrohet ushqim tradicional i zonës, për t’i shtuar, jugut krahas bukurive natyrore, edhe vlerat e kulinarisë. Festivali organizohet nga programi “Zhvillimi i Integruar & i Qëndrueshëm i Rajonit Bregdetar Jugor”, i mbështetur nga GIZ, në bashkëpunim me Ministrinë e Zhvillimit Urban, Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Agjencinë Kombëtare të Turizmit dhe Bashkinë.
Pjesë e festivalit është edhe një forum i dedikuar për gazetarë e fotografë. Gazetarët dhe fotografët do të mund të përjetojnë personalisht një pjesë të sporteve dhe aktiviteteve të këtij festivali, dhe më pas do të ulen dhe diskutojnë bashkërisht në një forum.