Tri sheshet kryesore të kryeqytetit ishin të mbushura me qytetarë të shumtë të cilët mezi po e prisnin parakalimin për herë të parë që do e bënte Ushtria e Kosovës me rastin e 11 vjetorit të pavarësisë së Kosovës.
Suksesin më të madh të Kosovës qytetarët e konsiderojnë themelim e ushtrisë, për të cilën ata sot u ndjenë shumë krenar. Por të pakënaqur u shprehen me punën që kanë bërë udhëheqësit e deritanishëm të politikës, derisa kërkojnë më shumë që të punohet në zhvillimin ekonomik, raporton kp.
Ismajli Berisha nga Prishtina thotë se derisa parakalonte Ushtria e Kosovës u ndje shumë mirë, por që shprehet skeptik se liderët aktual do e përmirësojnë gjendjen aktuale në vend.
“Kënaqësi e madhe ishte, e kam ndier vetëm shumë mirë. Nëse pyetni për forcat ushtarake është bërë, përndryshe në aspektet tjera asgjë, zero. Jam mjaftë skeptik kështu me këtë lloj udhëheqëseje që e kemi, me këta njerëz do të ketë përmirësim në gjendjen të cilën po e përjetojmë shumë rëndë“, ka thënë ky qytetar.
Ramiz Miftari, qytetar nga Prishtina nuk u shpreh i kënaqur me organizimin e festimit të 11 vjetorit të pavarësisë së Kosovës. Aspak i kënaqur u shpreh edhe me punën që është bërë për këto 11 vite, derisa fajtor kryesor sipas tij janë elita politike në vend.
“Me punën që është bërë shumë pak ka mundur të bëhet edhe më shumë po të ishte në nivel udhëheqësi më shumë do kishte me u bë. Është dashur më shumë me u bë dhe në bazë të atyre të dhënave që i ka dhënë Qeveria është dashur organizimi të jetë më i mirë, nga Qeveria është shumë i dobët organizimi”, u shpreh Miftari.
Me Miftarin pajtohet edhe Basri Hoxha një qytetar i cili kishte ardhur nga Varoshi për të festuar në Prishtinë 11 vjetorin e pavarësisë.
Ai thotë se themelimin e Ushtrisë së Kosovës e ka pritur gjatë, por i pakënaqur u shpreh me punën e liderëve politikë.
Në anën tjetër, Servete Pozhegu u shpreh optimiste për punën që është bërë deri më tani në vend. Ajo tejet krenare u shpreh edhe për Ushtrinë e Kosovës.
Për të festuar 11 vjetorin e pavarësisë së Kosovës kishin dal edhe shumë fëmijë të cilët në duart e tyre mbanin flamujt e Kosovës dhe atë të Shqipërisë.
Disa prej tyre madje për këtë ditë të rëndësishme për Kosovën kishin thurur edhe vargje.
Parakalimi madhështor i ushtarëve të Kosovës në tri sheshet kryesore është përcjellë me disa fluturake në qiell që kishin ngjyrat e flamurit të Kosovës dhe ato ‘Kuq e Zi’.
Përveç krerëve shtetëror e qytetarëve të shumtë në këtë ceremoni morën pjesë edhe shumë fytyra të njohura ndërkombëtare e ndër ta ishte edhe William Walker i cili nga afër i përshëndeti qytetarët e pranishëm.