Haziri: Republika jonë është e re, por historia është e vjetër

Haziri: Republika jonë është e re, por historia është e vjetër

17 shkurt 2019 13:14

Gjilani me aktivitete të shumta ka shënuar njëmbëdhjetë vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, kurse kjo ditë e shënuar për shtetin tonë në kryeqendrën e Anamoravës, ka nisur me një akademi solemne, në të cilën pjesëmarrësve u është kryetari i komunës, Lutfi Haziri.

“Pikërisht 11 vite më parë, në pasditen e së dielës së vitit 2008, deputetet e Republikës së Kosovës shpallën deklaratën e pavarësisë, ajo që quhet deklarata e koordinuar për pavarësi e që më pas u pasua me njohje nga shtetet më të fuqishme të botës e sot po vazhdohet me rrugëtimin e ngadalshëm, por të sigurt në ndërtimin e shtetit të Kosovës, drejt integrimit në familjen e madhe Evropiane”, tha Haziri.

Haziri, që atëkohë ishte njëri nga nënshkruesit e deklaratës, tha se ajo përbërje e deputetëve ishte pasuese e deputetëve që kishin nënshkruar deklaratën e pavarësisë së deklaratës së 2 korrikut dhe kjo rrugë e gjatë u vazhdua me rezistencën politike, luftës çlirimtare me në krye komandantin legjendar Adem Jashari dhe me ndihmën e forcave të NATO-s, duke u bërë pjesë e familjes së popujve sovranë.

“Tash 11 vite më pas po ecim tutje në ndërtimin e shtetit, qoftë në pushtetin lokal apo atë qendror dhe po vazhdojmë të përballemi me armiqësitë e vjetra dhe me armikun e njëjtë. Kjo ditë lidhet me sinonimin e shumë dëshmorëve, heronjve, martirëve, viktimave të luftës e të rezistencës prej Idriz Seferit e deri te Mulla Idriz Gjilani, mijëra qytetarë dhanë jetën për liri, deri te Kadri Zeka, Rexhep Mala e Nuhi Berisha për çka Gjilani mori mirënjohje kolektive për kontributin që dha për paqe dhe liri”, ka thënë Haziri, që ka përmendur edhe rolin e të gjithëve që kontribuuan për këtë liri, rolin e Ibrahim Rugovës, të familjes Jashari, NATO-n.

“Ta ujisim shpresën tonë për një jetë më të mirë, ta forcojmë besimin tonë për zhvillim dhe përparim, t’i tejkalojmë dallimet tona. Republika e jonë është e re, por historia e saj është e vjetër. Ajo është vetëm hapi i parë për të qenë të pavarur e të bashkuar, andaj mesazhi i të rënëve të përçohet nga ne”, ka thënë Haziri, duke ka uruar që kjo datë të jetë e përjetshme në historinë tonë e bëftë dritë vepra e atyre që ranë për liri.

Në këtë akademi është mbajtur edhe një program i pasur artistik, ku është paraqitur Kori i Shkollës së Mesme të Muzikës me këto pika: Greta Azizi “O vendi im”, “Oj Kosovë”, Suejla Ismajli “Agimet shqiptare”, “Kushtrimi i Lirisë”, Elona Sadiku “Këngë për Agim Ramadanin”, “Pa bashkim nuk ka fuqi”. Dirigjente ishte profesoresha Florentina Rushiti, në violinë Besiana Shkodra, piano – Xhentian Jetishi dhe Hekuran Bllaca, kurse programi u dha nën përkujdesjen e profesorit Kushtrim Jakupi.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme