Aleanca për Shqiptarët: Vetëm një marrëveshje me njohje reciproke Kosovë-Serbi do të sillte stabilitet

Aleanca për Shqiptarët: Vetëm një marrëveshje me njohje reciproke Kosovë-Serbi do të sillte stabilitet

17 February 2019 11:46

Aleanca për Shqiptarët, me kryetarin e vet Ziadin Sela ka uruar popullin e Kosovës me rastin e 11 vjetorit të Pavarësisë.

“Shteti i Kosovës lindi falë përpjekjeve të vazhdueshme, sakrificës dhe gjakut të shqiptarëve ndër shekuj. Kjo betejë vazhdon deri më sot, jo më për lirinë e Kosovës, por për konsolidimin e sovranitetit të saj të brendshëm e të jashtëm dhe për të ardhmen e saj euroatlantike, si shtet i barabartë i bashkësisë ndërkombëtare. Një Kosovë e integruar jashtë dhe brenda, e unifikuar politikisht, në koordinim me SHBA dhe Bashkimin Evropian do t’i tejkalojë të gjitha sfidat dhe vështirësitë në bisedimet me Serbinë për arritjen e një marrëveshje juridikisht detyruese për njohje reciproke”, thuhet në urimin e kësaj partie.

Vetëm një marrëveshje e tillë, thuhet tutje, do të sillte siguri dhe stabilitet të përhershëm në rajon dhe perspektivë evropiane për dy shtetet dhe mbarë Ballkanin Perëndimor.

“11 vjetori i Pavarësisë së Kosovës po karakterizohet edhe me transformimin e FSK-së në Ushtri të Kosovës. Kjo ushtri do të jetë një aset dhe vlerë kombëtare jo vetëm e Kosovës po e mbarë shqiptarëve, që në të ardhmen pritet ti shërbejë Kosovës dhe qytetarëve të saj si dhe paqes botërore me një Kosovë të integruar në NATO. Aleanca për Shqiptarët shpreh urimet e sinqerta dhe të përzemërta popullit dhe institucioneve të Kosovës për njëmbëdhjetë vjetorin e Pavarësisë, duke besuar fuqishëm se një popull që ka ditur ta fitoj lirinë do të dijë ta ndërtoj të ardhmen e vetë evropiane dukë e bërë Kosovën shtet sovran dhe demokratik të integruar në BE dhe NATO”, përfundon urimi.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme