Arbëri

Gjasat shumë të vogla që vizat të hiqen në qershor, thonë njohës të integrimeve evropiane

Foto: Reuters

​Ndonëse zyrtarët e lartë të Bashkimit Evropian (BE) vazhdimisht kanë kërkuar nga lidershipi kosovar që të mos jepen data sa i përket kohës se kur mund të ndodhë liberalizimi i vizave, liderët e institucioneve të Kosovës nuk po rreshtin së bëri një gjë të tillë. Kësaj radhe presidenti Hashim Thaçi, i përkrahur edhe nga kryeministri Ramush Haradinaj, si afat për liberalizim të vizave po e shohin qershorin e këtij viti.

Por, sipas njohësve të integrimeve evropiane, shanset që në qershor të merret një vendim për qytetarët e Kosovës sa i takon lëvizjes së lirë, janë të pakta. Madje skeptike për këtë afat janë edhe partitë opozitare në vend.

Si sfidë që liberalizimi të ndodhë në qershor po shihet korrupsioni dhe zhvillimet e fundit politike në vend.

Drejtori i Institutit EPIK në Prishtinë, Demush Shasha, ka këshilluar udhëheqësit kosovarë që të fokusohen më shumë në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, dhe mos të japin afate kohore, pasi siç tha ai, kjo tanimë është detyrë e institucioneve të BE-së.

Sipas tij, një prej skenarëve të liberalizimit të vizave mund të jetë edhe vendimmarrja në qershor të këtij viti, nëse do të ketë vendim për nisje të negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë Veriore.

“Ka një dritare të mundshme që Kosova t’i bashkëngjitet asaj vendimmarrje dhe të merret vendimi për liberalizimin e vizave në kuadër të takimit të Këshillit të muajit qershor, ku Kosova do të ketë vendim për liberalizim të vizave nëse Shqipëria dhe Maqedonia do të kenë vendime për nisje të negociatave, por kjo është vetëm mundësi teorike, nuk kemi indikacione prej Këshillit të Bashkimit Evropian apo vendeve anëtare që kjo është një skenar realist, prandaj derisa nuk kemi ndonjë indikacion të tillë nuk duhet shpresa në mënyrë jo reale se si janë ngritur në vitin e kaluar. Konsideroj se institucionet duhet ta përmendin si skenar realisht vetëm atëherë kur kemi një qëndrim të institucioneve të BE-së, respektivisht të Këshillit të Bashkimit Evropian për një gjë të tillë që Kosova mund të përfitoj vendimmarrje për liberalizim të vizave në muajin qershor, në mungesë të një qëndrimi të tillë prej BE-së nuk mund të konsiderojmë si skenar realist”, ka thënë ai, raporton Ksp.

Edhe profesori i të drejtës evropiane, Emrush Ujkani, është shprehur skeptik se Kosova në qershor do ketë një vendimmarrje për lëvizjes të lirë, por thekson se nëse merret ndonjë vendim sa i takon taksës së vendosur ndaj Serbisë, atëherë kjo do e përshpejtonte këtë proces.

Ujkani, duke folur për KosovaPress, u shpreh se lidershipi kosovar duhet të jetë më i kujdesshëm kur jep afate për liberalizimin e vizave, pasi që ky proces, siç shprehet ai, më nuk është në duart e tyre.

Për Ujkanin, edhe zgjedhjet e Parlamentit Evropian dhe konstituimi i tij do e zvogëlojnë mundësinë që qershori të sjellë lëvizje të lirë drejtë zonës schengen për kosovarët.

“Ashtu si qëndrojnë gjërat dhe rrethanat nuk është koha më e mirë dhe më e përshtatshme dhe unë rrjedhimisht nuk është që më bënë me besuar që do të kemi në qershor të këtij viti një vendimmarrje, por që nuk duhet të harrojmë se zhvillimet politike të kohëve të fundit të cilat kanë marrë një kahe mendoj vërtetë dramatike. Raportet në mes Kosovës dhe Serbisë, veçanërisht i referohemi vendosjes së taksës e cila domosdoshmërisht do të sjellë në një rrethanë dhe ka sjellë dhe ka krijua një momentum të ri, tani për t’i ulur këto tensione mendoj se duhet një vendimmarrje politike dhe rrjedhimisht mund të ketë një proces pak më të përshpejtuar për liberalizim të vizave”, ka thënë Ujkani.

Për opozitën, qershori ka tejet gjasa të vogla të sjellë liberalizim për qytetarët e Kosovës. Madje deklarimet e krerëve shtetërorë për këtë afat i konsiderojnë si mashtrime të radhës për qytetarët.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca iu ka bërë thirrje liderëve që të jenë më të kujdesshëm me premtimet e tyre siç i ka quajtur ai “pa mbulesë” për liberalizimin e vizave.

Sipas tij, kryesimi i Bashkimit Evropian dhe forcimi i partive djathtiste do të krijojë gjasa minimale që në qershor të ndodhë liberalizimi i vizave për Kosovën.

“Unë do të bëja thirrje që të jemi më të kujdesshëm përsa i përket premtimeve të cilat mund të jenë pa mbulesë për liberalizimin e vizave. Kështu kanë dhënë premtime politikanët e ndryshëm edhe për vitin 2018, por e pamë që çka ndodhi me liberalizimin e vizave, kështu që unë konsideroj që qershori i vitit 2019 i ka gjasat ndoshta edhe më të pakta se fundi i vitit 2018 për shkak të zhvillime që do t’i kemi brenda Unionit Evropian, janë zgjedhjet të cilat do të prodhojnë institucione të reja, nëse zgjedhjet pra kryhen në prill dhe në maj, atëherë konsolidimi dhe formimi i institucioneve të reja të Bashkimit Evropian merr një kohë të caktuar dhe nuk e di qysh do të mund të shkonte Kosova në procesin e liberalizimit të vizave menjëherë në muajin qershor. Gjasat janë fare të vogla “, ka shtuar Konjufca.

Armend Zemaj nga Lidhja Demokratike e Kosovës, i ka konsideruar si deklarime të gabuara afatet e dhëna për lëvizje të lirë për qytetarët e Kosovës drejt zonës schengen.

Sipas tij, korrupsioni dhe krimi i organizimi po e lënë Kosovën peng në këtë drejtim.

“Deklaratat mendoj se janë të gabuara, janë me sens mashtrimi për qytetarët e Republikës së Kosovës sepse tash ka kohë që deklaratat e tilla nuk janë dal të vërtetuara dhe liberalizimi i vizave nuk është marr nga Republika e Kosovës, kështu që ne si opozitë kemi kërkuar që jo të ketë deklarata por të ketë punë përkushtim , ndërrim të imazhit dhe lobim të saktë për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës. Është e pandershme për qytetar sepse janë maltretuar kohë të gjatë tash po maltretohen me edhe këso lloj deklarata ajo çka dihet është se kriteret e kërkuara teknike janë përmbushur, por pjesa politike dhe pjesa e luftimit të korrupsionit, krimit të organizuar , menaxhimit të parasë publike duket se kanë lënë shenja të hidhura tek shtetet evropiane ato të cilat e ndihmojnë, por edhe ato të cilat investojnë në buxhetin e Kosovës”, ka shtuar ai.

Por krahas kësaj, Bilall Sherifi nga Nisma Socialdemokrate është shprehu i bindur se ky vit do sjellë liberalizim të vizave, ndonëse thotë se nuk është mirë të jepen data dhe muaj se kur do të ndodhë kjo.

“Unë mendoj që nuk është mirë që t’i përsërim gabimet që i kemi përsëritur në të kaluarën, që domethënë që nuk është mirë që të përmendim data, as muaj, as vite ajo që unë mund të them që e ka konfirmuar edhe Bashkimi Evropian, Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave se kur do të hiqen vizat më nuk është në dorë të Kosovës, është në dorë të shteteve veç e veç, anëtarët e Bashkimit Evropian... Nuk ka asnjë arsye që fundi i këtij viti të mos gjej vendin me viza të liberaliziuara, nëse ajo ndodh atëherë do të jetë për arsye politike, por jo për arsye të Kosovës. Besoj se ky vit është viti i fundit kur Kosova nuk do të jetë më në hartën e vendeve të padëshiruara për lëvizje të lirë në Bashkimi Evropian”, ka deklaruar Sherifi.

Ndërsa, javë më parë presidenti i vendit, Hashim Thaçi, por edhe kryeministri, Ramush Haradinaj kanë deklaruar se në qershor të këtij viti mund të ndodhë liberalizimi i vizave për kosovarët. Madje Haradinaj ka thënë se pret që verdikti për këtë çështje të merret edhe më herët.