Vuçiq: Duhet të ketë kompromis, jo fitues

Thaçi: E tërë bota e di se spastrimi etnik në Kosovë ka ndodhur nga shteti i Serbisë

16 shkurt 2019 16:53
17:16

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në debatin në Munih bashkë me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se e tërë bota e di se spastrimi etnik në Kosovës më 98-99, ka ndodhur nga shteti serb.

“E tërë bota e di se spastrimi etnik në Kosovë ka ndodhur nga shteti i Serbisë. Por është edhe një realitet i ri, ku në Kosovë kemi praninë ndërkombëtare. Për Asociacionin e komunave serbe... jemi pajtuar për të themeluar atë, por jemi pajtuar që ajo të themelohet në bazë të Kushtetutës së Kosovës dhe ligjeve të Kosovës. Keqkuptimi këtu është se Vuçiqi nuk e kupton se unë jam president i Kosovës së pavarur, të njohur nga mbi 100 shtete. Ende shpresoj se, edhe pse do të jetë pothuajse e pamundshme për të arritur një marrëveshje, vazhdoj të besoj. Pse besoj? Sepse ka gatishmëri për t’u ulur e diskutuar. Me Vuçiqin jemi ulur dhe kemi diskutuar. Ka të atillë që propozojnë ndërtimin e një muri mes shqiptarëve dhe serbëve. E di se duhet të ketë një kompromis të arritur mes autoriteteve të Kosovës dhe të Beogradit. Pse duhet të arrijmë marrëveshje? Sepse Bashkimi Evropian po ndërmjetëson, dhe i ftoj të gjithë që të mbështesin një zgjidhje. Edhe SHBA-ja mbështet një zgjidhje, siç u pa në letrat e presidentit Trump. Ajo që është e re është se, shpresoj, që edhe Rusia do të mbështesë zgjidhjen mes Kosovës dhe Serbisë. Jam shumë i bindur se ndërkombëtarët do të na ndihmojnë në arritjen e një marrëveshjeje”, deklaroi Thaçi.

Tutje foli edhe Vuçiqi, i cili shtroi disa pyetje në lidhje me shtetësinë e Kosovës, duke e vënë atë në pikëpyetje.

“Ndoshta një ditë unë s’do të jem lider dhe dikush tjetër do ta arrijë marrëveshjen. Pyes, pse ju duhemi, pse negocioni me Serbinë? Pse ndodhi që ju ende nuk jeni anëtar i OKB-së? Apo i Interpolit, i UNESCO-s... sepse ju jeni shtet i pavarur i konsoliduar, sipas jush. Por, ju keni nevojë për negocim sepse s’jeni shtet i konsoliduar. Ne nuk presim asgjë nga BE-ja. Janë nikoqirë të mirë. Nuk kemi asnjë fjalë të keqe për Mogherinin apo të tjerët, siç dëgjojmë fjalë nga Prishtina. Gjithmonë për ta dikush ka faj. Herë Serbia, herë Brukseli, herë Rusia... Mendoj se fajtorët janë Thaçi dhe unë. Urrejmë termin e shkëmbimit të territorit, dhe për këtë e përdorim termin demarkacion”, deklaroi Vuçiqi.

Ai u ndal edhe tek kufijtë e Kosovës, të cilët po ashtu i vuri në pikëpyetje duke thënë se a janë kufij që i njeh SHBA-ja apo Kina.

“Për cilët kufij flasim? Që janë njohur nga SHBA-ja apo Kina? Janë kufij krejtësisht të ndryshëm për këto dy vende. Për këtë arsye duhet të negociojmë, t’i dëgjojmë edhe palët tjera. Kam dëgjuar çdo temë të hapur nga delegacioni i Prishtinës. Dhe këtë kërkojmë edhe ne. Por ju e shihni sot, është një seancë e hapur, diskutuam të gjitha çështjet siç janë, dhe u shfaqën të gjitha vështirësitë. Ajo që kemi nevojë është punë me përkushtim dhe të provojmë të arrijmë kompromis. Ju garantoj se nga pala e Beogradit do të bëjmë gjithçka është e mundur, por s’ju garantoj se do të mund të arrijmë diçka”, thekoi Vuçiqi.

Diplomati Wolfgang Ischinger, si nikoqir i këtij paneli, tregoi se Thaçi e Vuçiqi ishin të vetmit liderë që kanë probleme mes vete dhe që u pajtuan të diskutojnë hapur për çështjet që nuk pajtohen, për dallim nga të tjerë që i ftuan e nuk pranuan të bisedojnë hapur mes vete.

“Kemi bërë shumë përpjekje për t’i bërë bashkë liderët që kanë probleme. Tani s’do të përmend emra, por mund të ju them se këta dy janë të vetmit që u pajtuan ta bëjnë këtë. Ju ishit mjaftueshëm të guximshëm të vini në këtë skenë, të sqaroni se çfarë nuk po shkon, por mendoj se e vlerësoj edhe faktin se të dy ju i keni përsëritur përkushtimet për të vazhduar këtë proces. Nuk mund të flas në emër të ndonjë qeverie, por mendoj se të gjithë ne jemi të gatshëm të ndihmojmë për të avancuar procesin. Ju falënderoj dhe kam një dëshirë të vogël: Pasi që kemi vendosur që sot të festojmë përmes një ceremonie për arritjen e një marrëveshjeje mes Maqedonisë dhe Greqisë, ku do të shpallen fitues të një çmimi, a s’do të ishte mirë që vitin e ardhshëm ju të merrni këtë çmim?”, deklaroi Ischingeri.

17:12

Hahn kërkon nga Thaçi e Vuçiqi zgjidhje për t’i sjellë stabilitet rajonit

Komisionari evropian për Zgjerim, Johaness Hahn, ka thënë se është në interesin e qytetarëve të Kosovës dhe Serbisë për të arritur deri te një zgjidhje ndërmjet palëve.

Ai gjatë panelit të diskutimit në Munih me presidentin e Kosovës Hashim Thaçi dhe atë të Serbisë Aleksandar Vuçiq, ka folur për problemet me të cilat përballet rajoni i Ballkanit Perëndimor, si shkalla e lartë e papunësisë së të rinjve dhe problemet ekonomike, transmeton KP.

Hahn tha se, “dialogu është me rëndësi për perspektivën evropiane, por dhe përmirësimin e kushteve të jetës, pasi kur palët bllokojnë njëra-tjetrën, ato njëherësh bllokojnë edhe të palët tjera, si dhe vetë stabilitetin në rajon”.

Ai ka kërkuar nga Thaçi dhe Vuçiq të punojnë me përkushtim për gjetjen e një zgjidhje të qëndrueshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

16:57

Thaçi kërkon që dialogu të vazhdojë pa kushte

Presidenti Hashim Thaçi ka deklaruar sot në Konferencën për Siguri që po mbahet në Munih, Gjermani, se marrëveshja finale do të rezultojë me njohjen reciproke Kosovë-Serbi dhe pranimin e Kosovës në OKB.

Po ashtu, ai ka kërkuar që procesi i dialogut në Bruksel duhet të vazhdojë pa kushte.

“Marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë janë komplikuar. Kemi probleme të vjetra njëqindvjeçare të armiqësisë dhe periudhës së freskët të luftës në Kosovën në vitin 1999. Ka pasur 20 mijë viktima të dhunës gjatë luftës në Kosovë dhe askush nuk është dënuar për këtë. Populli i Kosovës ka vuajtur shumë për shkak të spastrimit etnik”, ka thënë Thaçi.

Ai ka folur edhe për marrëveshjet e arritura deri më tash në Bruksel, për të cilat tha se shumica janë implementuar, transmeton kp.

Ndërkohë që pala serbe kushtëzon vazhdimin e dialogut me heqjen e taksës ndaj mallrave serbe, presidenti Thaçi ka kërkuar vazhdimin e këtij procesi pa kushte, ndërsa ka potencuar se komuniteti serb nuk duhet të përdoret për lojërat e shtetit serb.

16:53

Vuçiq: Duhet të ketë kompromis, jo fitues

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se marrëdhëniet Prishtinë-Beograd sot janë shumë më të komplikuara se sa ato që ishin ndërmjet Greqisë dhe Maqedonisë para zgjidhjes së kontestit të emrit.

Ai në panelin e diskutimit ku po merr pjesë edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se Serbia po bën më të mirën e mundshme për të gjetur zgjidhje dhe por po ashtu po përmbushë obligimet e dala nga marrëveshjet e Brukselit, transmeton kp. 

Vuçiq ndërkaq akuzoi palën kosovare se ka dështuar të përmbushë marrëveshjet e Brukselit, ndërkohë që kanë vendosur edhe masën 100 për qind për mallrat serbe, e cila nuk është larguar pavarësisht presionit ndërkombëtar me në krye SHBA.

“Serbia nuk ka reaguar fare dhe nuk kemi marrë masa reciproke, por ajo që përballemi me platformën e dialogut nga e ashtuquajtura Qeveria e Kosovës, e cila kushtëzon që Kosova duhet të mbrojë integritetin e saj territorial dhe në të njëjtën kohë Serbia duhet të njohë Kosovën”, tha Vuçiq, duke shtuar se politikanët kosovarë ‘janë jashtë realitetit’.

Ai tha se Kosova kërkon të fitojë të gjitha dhe Serbia të mos fitojë asgjë, gjë e cila sipas tij nuk do të ndodhë.

“Ne do të bëjmë më të mirë për gjetjen e kompromisit, që nuk do të paraqesë kapitullimin e njërës palë, në këtë rast kapitullimin e Serbisë”, porositi presidenti Vuçiq, duke shtuar se janë të gatshëm të vazhdojnë dialogun pas heqjes së taksës ndaj mallrave serbe.

Ai gjatë panelit të diskutimit në Munih me presidentin e Kosovës Hashim Thaçi, tha se, “zgjidhja për Kosovën duhet të jetë kompromisi, ku asnjëra palë nuk do të fitojë, por të jetë ‘win-win’”.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme