Ambasada e SHBA-së në Shkup paralajmëron për sulm të mundshëm terrorist Foto: Reuters / ilustrim

Ambasada e SHBA-së në Shkup paralajmëron për sulm të mundshëm terrorist

15 shkurt 2019 22:15

Pas njoftimit nga ana e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut për parandalimin e një sulmi të mundshëm terrorist në vend, një paralajmërim ka ardhur edhe nga ana e Ambasadës Amerikane në Shkup.

Kjo Ambasadë, përmes një njoftimi të postuar në ueb-faqen e saj zyrtare, ka paralajmëruar për një rrezik të shtuar të sulmeve terroriste të frymëzuara nga ideologjia ekstremiste në Maqedoninë e Veriut.

Parandalohet sulm terrorist nga ISIS-i në Maqedoninë e Veriut

“Organizata terroriste dhe individë të inspiruar nga ideologji ekstremiste synojnë të sulmojnë civilët, përfshirë edhe shtetasit amerikanë që udhëtojnë jashtë vendit. Terroristët vazhdimisht e më shumë përdorin metoda më pak të sofistikuara për të targetuar turma në vende publike, përfshirë pistoleta, automjete dhe armë të ndryshme si thika e të ngjashme”, thotë ambasada amerikane, raporton Koha.net.

Ambasada thotë se sulmet terroriste dhe incidentet tjera të sigurisë zakonisht ndodhin pa ndonjë paralajmërim, dhe kërkon nga shtetasit amerikanë të jenë shumë vigjilentë.

“Ekstremistët synojnë çdo herë e më shumë të identifikojnë dhe sulmojnë ‘caqe të dobëta’, si: qendra tregtare dhe tregje, aeroporte, hotele, klube dhe restorante, vende të shenjta, shkolla, parqe, ngjarje të mëdha publike (gara sportive, tubime politike, demonstrata, ngjarje pushimi, tubime kremtimi, etj)”, thekson Ambasada e SHBA-së në Shkup.

Shumica e popullatës në Maqedoninë Veriore prej 2 milionëve është ortodokse, ndërsa myslimanët përbëjnë rreth 35 për qind të popullatës së përgjithshme.

Autoritetet në ish-republikën jugosllave vlerësojnë se rreth 130 qytetarë të saj kanë luftuar apo janë ende duke luftuar përkrah grupe islamike në Siri dhe Irak.

Më 2016, një gjykatë dënoi gjashtë persona, përfshirë edhe një imam, me nga rreth 7 vjet burgim për pjesëmarrje në luftë apo për rekrutim të të tjerëve.

Javën e kaluar, Maqedonia e Veriut, nënshkroi protokollin e anëtarësimit në NATO dhe pritet të bëhet shteti i 30 anëtar i saj derisa një gjë e tillë të ratifikohet nga të gjitha shtetet anëtare.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme