Platforma për dialogun garanton Asociacion pa kompetenca ekzekutive, thotë Veseli

Platforma për dialogun garanton Asociacion pa kompetenca ekzekutive, thotë Veseli

15 February 2019 13:57

Delegacioni shtetëror për bisedimet me Serbinë i ka dorëzuar sot kryetarit të Kuvendit platformën e hartuar për dialog. Pas takimit, u tha se platforma garanton sovranitet të plotë të Republikës së Kosovës, dhe gjithashtu garanton që nuk do të ketë Asociacion me kompetenca ekzekutive. Ditëve në vijim, deputetëve të Kuvendit do t’u kërkohet që ta mbështesin dokumentin në mënyrë që ekipi negociator të mund të zbatojë atë.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli pasi pranoi platformën nga delegacioni shtetëror, tha se e njëjta garanton integritet të plotë të shtetit të pavarur të Kosovës.

“Kjo është baza e cila do t’i propozohet Kuvendit të Republikës së Kosovës për dialogun me Serbinë, e cila nënkupton sovranitet të plotë, integritet të plotë të shtetit tonë të pavarur dhe sovran, dhe njëjtën kohë garanton që nuk do të ketë asociacion me kompetenca ekzekutive apo pushtet të tretë apo Republikë Serbe në Republikën e Kosovës. Të njëjtën kohë garanton përgjegjësitë që ka shteti i pavarur dhe sovran i Kosovës, reciprocitet për vëllezërit tanë që t’i ruajmë të drejtat e shqiptarëve në Republikën e Serbisë”, tha ai.

Veseli tha që do të miratojnë platformën, por që vendimmarrjen për marrëveshjen finale me Serbinë, do ta kenë qytetarët e Kosovës për mes referendumit që do të mbahet, raporton kp. 

Ndërsa bashkë-kryesuesi i ekipit negociator, Fatmir Limaj pret që rreth kësaj platforme të bashkohen të gjithë.

“Kosova është e gatshme dhe formalisht të nënshkruajë një marrëveshje me Republikën e Serbisë për të filluar nga këtu e tutje respektin, zhvillimin e marrëdhënieve, komunikimin, bashkëpunimin aq sa kanë vullnet dy vendet, të paktën një sjellje korrekte ndaj njëri tjetrit, një respekt ndaj njëri tjetrit. Pres që rreth kësaj platforme, të bashkohemi të gjithë dhe kështu t’i jepet një fuqi dhe një përkushtim të Republikës së Kosovës që ne jemi për paqe, jemi për marrëveshje, jemi për respekt të dy vendeve tona. Kërkojmë, pasi që kemi marrë mbështetjen nga drejtuesit e shtetit, shpresojmë edhe nga Parlamenti i Kosovës, që përfundimisht ky është qëndrimi zyrtar i Republikës së Kosovës, dhe platforma do të jetë referenca jonë”, tha ai.

Shpend Ahmeti, bashkë-kryesues në delegacion, tha se platforma bazohet e tëra në Kushtetutën e Kosovës.

Ai tha se Kushtetuta do të mbrohet edhe në dialogun me Serbinë.

“Platforma bazohet komplet në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, duke cituar nene nga Kushtetuta, sa i përket sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës, të cilat janë të pacenueshme siç e thotë edhe Kushtetuta, dhe është obligim i të gjitha organeve të Republikës së Kosovës që atë Kushtetutë ta mbrojmë në çdo forum, edhe në dialog me Serbinë. Nuk ka rend të tretë të qeverisjes në Kosovë përveç atij qendror dhe lokal. Në platformë si parim është e potencuar që resurset që janë në Republikën e Kosovës janë e drejtë ekskluzive e Republikës së Kosovës dhe është vendim sovran i Republikës së Kosovës shfrytëzimi i tyre”, tha ai.

Pas takimit, u tha se përmes parimeve që janë vendosur në platformë, është bërë e qartë cili është qëndrimi zyrtar i Republikës së Kosovës karshi fazës përfundimtare të dialogut me Serbinë.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme