Arbëri

Prokurori: Po punohet intensivisht për ta mësuar gjendjen që kishte shoferi para aksidentit me fatalitet afër Tetovës

Prokurori Publik nga Prokuroria Themelore Publike e Shkupit, bashkë me ekipin e MPB-së, sot kanë mbaruar ekspertizën në vendngjarje të aksidentit të mbrëmshëm në rrugën Shkup-Tetovë ku humbën jetën 14 udhëtarë dhe shumë të tjerë mbetën të lënduar.

“Intensivisht po punohet në vërtetimin e të gjitha detajeve, të cilat do të mund të zbulonin shkaqet e aksidentit. Autobusi i kompanisë “Durmo Turs” është marrë nga vendi i ngjarjes dhe me urdhër të Prokurorit Publik mbi të do të kryhet kontroll teknik i detajuar nga ana e Fakultetit të Makinerisë në Shkup. Nga informatat e deritanishme flitet se bëhet fjalë për autobus të vitit 2001, dhe se për herë të fundit ka qenë i regjistruar në janar të viti 2019”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë, nga ku shtojnë se në kohën e aksidentit tek vozitësi nuk është regjistruar prezencë e alkoolit, barnave dhe substancave psikotrope, raporton Alsat.

Largohet autobusi i aksidentuar në autostradën Shkup-Tetovë

“Vozitësi i cili ka drejtuar autobusin është hospitalizuar dhe ka marrë lëndime trupore. Menjëherë pas aksidentit prokurori publik realizoi një bisedë me të por ai nuk ka dhënë detaje relevante për ngjarjen. Prokurori publik gojarisht është njoftuar se analizat e gjakut dhe të urinës flasin se në momentin e aksidentit tek vozitësi nuk është regjistruar prezenca e alkoolit, barnave apo substancave psihotrope. Më kërkesën e tabulateve nga operatorët mobil, do të vërtetohet nëse vozitësi në momentin e aksidentit ka shfrytëzuar telefonin celularë”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore Publike në Shkup.