Arbëri

Vetëvendosje liston problemet në arsimin parauniversitar të dekadës së fundit

Për Lëvizjen Vetëvendosje, në dekadën që po lemë pas kanë ndodh shumë ndryshime në këtë nivel të arsimimit, jo patjetër për të mirë.

Në ambientet e Kuvendit, Komiteti për Arsim dhe Shkencë nisi sot një cikël tryezash ku tre temat e sotme ishin menaxhimi i institucioneve shkollore, partizimi dhe sigurimi i cilësisë.

Sipas njoftimit për media të Lëvizjes Vetëvendosje, diskutimin kryesor mbi këto çështje e mbajti Dukagjin Pupovci. Ndërsa në prezantimin e të gjithë profesionistëve të pranishëm shpalosën kritikat dhe defektet e këtyre 10 viteve të decentralizimit të kompetencave.

“Të pranishmit në tryezë treguan se si instrumentalizimi partiak i arsimit parauniversitar në kombinim me mungesën e politikave zhvillimore arsimore ka sjellë një gjendje të shkollave ku inspektimi i tyre është tepër i dobët, ka shumë shkolla me paralele të ndara, ka tepri mësimdhënësish, shkollat profesionale s’ndërlidhen me praktikën, prindërit e nxënësve nuk angazhohen në shkolla dhe nuk u kushtohet vëmendje fëmijëve me aftësi të kufizuara. Më së shumti, sistemi vuan nga mungesa e një analize totale të gjendjes, shkaqeve dhe të propozimeve që do ta nxirrnin nga kjo situatë”, thuhet në njoftimin për media të VV-së.

Në përfundim të tryezës u renditën edhe rekomandimet e dala prej saj:

• Nevoja për studim të gjerë në nivel vendi mbi procesin e decentralizimit në arsimin parauniversitar dhe mbi politikat e reformat e ndjekura për të;

• Angazhimi kundër pabarazisë midis nxënësve dhe mësimdhënësve;

• Një vizion për arsimin për të ardhmen e vendit;

• Departizimi i emërimeve në drejtori, shkolla dhe në institucionet e tjera arsimore;

• Mbështetja në nivel komunal me resurse, decentralizim kompentencash në nivel shkolle dhe rritje e llogaridhënies ndaj tyre;

• Përfshirja e prindërve të nxënësve në punën e shkollave dhe në lehtësimin e punës së mësimdhënësve;

• Standardizimi dhe transparenca e veprimtarive të shkollave;

• Mekanizma të rinj institucional për garantimin e cilësisë së arsimit;

• Gjithpërfshirja në arsimimi me fokus të posaçëm për fëmijët me nevoja të posaçme.

“Tryeza e ardhshme mbahet me 19 shkurt dhe do të trajtojë temën e teksteve shkollore dhe kurrikulës. Gjatë ditës së djeshme grupi ynë parlamentar i dorëzoi kërkesë Kuvendit për organizimin e një Debati të veçantë mbi përgjegjësinë e Qeverisë dhe institucioneve përgjegjëse mbi organizimin arsimit parauniversitar në Kosovë”, thuhet në fund të njoftimit.