Hapet Burger King në Prishtinë, Kosnett: Shenjë e besimit në Kosovën

Hapet Burger King në Prishtinë, Kosnett: Shenjë e besimit në Kosovën

14 February 2019 16:53

Ditën e sotme është bërë përurimi i hapjes së Burger King në Prishtinë, nga ku është paralajmëruar se gjatë këtij viti do të hapen edhe 8 pika të tjera të Burger King-ut në gjithë Kosovën. Me hapjen e kësaj pike janë punësuar 100 persona, ndërkohë që me hapjen e pikave të reja është thënë se do të hapen mbi 300 vende të reja të punës.

Me rastin e hapjes së kësaj pike, është thënë se bashkëpunimi i brendit të njohur amerikan dhe kompanisë kosovare Buçaj Retail dëshmon lidhjen që kanë Kosova me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti, ka thënë se në diskutimet se marrëdhëniet Kosova-ShBA po prishen, këto investime tregojnë për lidhjen që këto dy shtete kanë. Sipas tij, marrëdhëniet në mes dy shteteve janë të qëndrueshme dhe do të vazhdojnë të jetë të tilla edhe në të ardhmen.

“Këto ditë ka shumë diskutime për miqësinë tonë me ShBA-të, është dëshmuar dhe vazhdon të dëshmohet që lidhjet tona edhe politike edhe ekonomike dhe shoqërore janë ndër më të fortat që mund të kenë dy shtete. Natyrisht pakrahasimisht në madhësi, por vazhdojmë dhe këto janë dëshmi që kjo nuk është e përkohshme po këto investime tregojnë se marrëdhëniet tona janë të qëndrueshme dhe do të vazhdojnë të jenë edhe në të ardhmen”, u shpreh Ahmeti.

Kreu i Prishtinës, ka treguar se vite më parë ka ligjëruar për ushtarët amerikan në kampin Bondsteel dhe se aty ka shkuar dy herë në javë mbrëmjeve për të shijuar ushqimet e Burger King-ut. Ku është shprehur se edhe pesha e tij është si pasojë e atyre dëshirave.

Ahmeti është shprehur se deri para tri viteve kompanitë e mëdha nuk kanë qenë të sigurta për të dhënë përfaqësinë në Kosovë, pasi kanë dhënë arsye që Kosova nuk është vend i sigurt për brendin e tyre. E hapja e disa prej brendeve botërore, e edhe Burger King e kanë ndryshuar këtë mendim dhe sipas tij brendet ndërkombëtare tashmë nuk e shohin Kosovën si vend të rrezikshëm për brendin e tyre.

Në hapje të pikës së Burger King-ut në Prishtinë ka marrë pjesë edhe ambasadori i ShBA-ve në Kosovë Philip Kosnett, i cili tha se rrugëtimi deri tak hapja ka qenë i gjatë, pasi që janë dashur gati dy vite negociata për ta realizuar këtë.

Megjithatë, ai tha se ky biznes tashmë ka ndryshuar jetën e qytetarëve të rinj kosovar, duke përmendur se janë hapur 100 vende të reja të punës dhe më shumë të tjera do të hapen edhe me hapjen e pikave të reja.

“Paraardhësi im, ambasadori Delawie shpesh ka thënë se hapja e çdo përfaqësie të re amerikane është shenjë e besimit në Kosovën dhe në të ardhmen e saj. Zingjirët e mëdhenj bëjnë hulumtime të reja para se të hyjnë në një treg të ri, prandaj çdo përfaqësi që hapet dërgon sinjal pozitiv përfaqësive të tjera. Por, çka është edhe më me rëndësi dërgon sinjal edhe investitorëve. Qeveria ime është e lumtur që po sheh rritje të investimeve amerikane në Kosovë, e i nxisim edhe më shumë ndërmarrjet për ta pasur në mendje Kosovën. por, megjithatë duhet ta pranojmë se ka faktorë të jashtëm të zhvillimit të afarizmit që pengojnë investimet e huaja në Kosovë, veçanërisht tensionet e vazhdueshme politike në rajon, si dhe sfida e korrupsionit me të cilën përballet Kosova. Përpjekjet për të ndërtuar paqe, drejtësi, mbarësi për Kosovën dhe për fqinjët e saj janë të lidhura ngushtë dhe në mënyrë të pandashme. Paqja, drejtësia e mbarësia për të gjitha këto ShBA-të janë të përkushtuara që t’i mbështesin miqtë tanë në Kosovë gjatë përbaltjes dhe tejkalimit të këtyre sfidave”, tha ai.

Brendi i njohur amerikan në Kosovë ka ardhur pas marrëveshjes së këtij brendi me kompaninë kosovare Buçaj Retail.

Pronari i kompanisë Buçaj Retail, që ka sjellë brendin amerikan në Kosovë, Xhevat Jusufi, ka thënë se me hapjen e këtij brendi në Kosovë kanë bërë që edhe kosovarët të ndjehen pjesë e botës.

“Pas një procesi shumë të gjatë dhe me bashkëpunëtorët tanë arritën që ta sjellim një brend botëror në vendin tonë dhe kështu të ndjehemi edhe ne si pjesë e botës. Brenda këtij viti planifikojmë që t’i hapim edhe 8 pika të shitjes dhe përafërsisht do t’i punësojmë rreth 300 punëtorë. Ne jemi të përkushtuar si kompani që t’i kultivojmë vlerat e Burger King-ut dhe të shfrytëzojmë të drejtën tonë të franshizës që e kemi për Kosovë dhe Shqipëri që bashkërisht të ndikojmë edhe në punësime dhe në zhvillim ekonomik”, u shpreh ai.

Brendi i njohur amerikan, Burger King operon me 16,000 restorante, në rreth 100 shtete të botës.

(Artikull i sponsorizuar nga Burger King).

Komentet

Hasani21/02/2019 15:40

Ma te mire jane qebapat ne Sarajeve, te Cana, te Tara, etj. se sa berrlogu qe sherbehet ne Burger King ose McDonalds!

Shto koment

Të ngjashme