Arbëri

Ekipi negociator: Platforma, qëndrimi i vetëm zyrtar i Kosovës

Ekipi negociator për dialogun me Serbinë ka miratuar platformën për dialog. Me këtë rast, dy bashkëkryesuesit Fatmir Limaj e Shpend Ahmeti kanë thënë se platforma do të paraqesë qëndrimin e vetëm zyrtar të Kosovës në dialog.

Ata kanë konfirmuar se platforma nesër do t’i dërgohet Kuvendit.

Në një deklaratë për media, Ahmeti ka thënë se qysh në fillim të platformës thuhet se “Ky është qëndrimi zyrtar i Republikës së Kosovës” dhe se ajo do të jetë tërësisht e bazuar në Kushtetutën e vendit.

Ka thënë se shpreson që javën e ardhshme të mbahet seanca plenare për të dhe të ketë diskutime të mirëfillta në Kuvend.

Në anën tjetër, Limaj ka thënë se në platformë janë përfshirë të gjitha shqetësimet dhe ndjeshmëritë që kanë mbuluar dialogun qe një periudhë. “Platforma është e bazuar në Kushtetutë, deklaratë të Pavarësisë e vendim të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë”, ka thënë ai.

Ahmeti ka kritikuar qasjen e LDK-së që ka thënë se s’do të votojë pro platformës.

“Është interesant qysh dikush thotë s’do ta votojë pa e lexuar fare. Komentova deklaratën e kryetarit të LDK-së se çka nuk diskutohet. Ajo që ka kërkuar është pak karshi platformës së Ekipit. Kemi dëgjuar të gjitha deklaratat. Le të lexojnë njëherë platformën e pastaj të vendosin si të votojnë. Si opozitë s’duhet të kundërshtohet gjithçka apriori”, ka thënë ai.

Ahmeti ka shtuar se është vendosur që në Bruksel Ekipi negociator të hapë edhe temat që më herët s’janë diskutuar si krimet e luftës, dëmshpërblimi e viktimat e dhunës seksuale në luftë.

I pyetur për vijat e kuqe që përmban platforma, bashkëkryesuesit kanë thënë se “ajo buron nga Kushtetuta dhe s’do të dilet prej saj”.

“Kushtetuta është e qartë, integriteti territorial dhe sovraniteti i Kosovës është i garantuar me Kushtetutë. Është e qartë për të gjithë, e për ne obligim ligjor”, ka thënë Ahmeti.