Arbëri

Presioni i SHBA-së mbledh liderët në takim, Ahmeti kërkon të përkrahet Haradinaj

Letra e rreptë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës që u shkoi në adresë liderëve shtetërorë, për heqjen e taksës, ka qenë arsye që kryeparlamentari Kadri Veseli ka mbledhur në takim presidentin Hashim Thaçi, kryeministrin Ramush Haradinaj, e katër zëvendëskryeministra, që njëherësh janë edhe pjesë e ekipit shtetëror për dialog.

Por, edhe ky takim përfundoi me qëndrime të njëjta. Kryeministri nuk heq dorë nga taksa, përballë atyre që e kërkojnë pezullimin e saj, raporton KTV.

I vetmi që foli pas takimit ishte Shpend Ahmeti, si bashkëkryesues i delegacionit shtetëror për dialog me Serbinë.

Ai tha se është e vërtetë se marrëdhënia me Amerikën është në pikë kritike, por jo aq sa rrezikon miqësinë mes dy shteteve.

Ai tha se nuk duhet ta lënë kryeministrin vetëm përballë taksës.

Ai tha se ideja e presidentit për korrigjim kufijsh, as nuk u diskutua në takim, e as nuk është pjesë e platformës. Tha se ata i qëndrojnë besnikë Kushtetutës së Kosovës.

Pas takimit me liderë, ekipi shtetëror u mblodh në një tjetër takim, këtë herë në zyrën e Grupit Parlamentar të Nismës.

Aty, për gati tri orë, u tha se u finalizua në detaje drafti i platformës, i cili sonte iu dërgua edhe presidencës e qeverisë, për komentet përfundimtare, derisa deri të premten pritet që t’i dërgohet zyrtarisht edhe Kuvendit.

Shpend Ahmeri tha se nuk ka asnjë kërkesë nga Presidenca për ta plotësuar këtë dokument.

Ndërkohë, pritet që të enjten ky dokument të votohet përfundimisht nga ekipi negociator.