Arbëri

Me akuzë për krime lufte Ramadan Maloku po mbahet në paraburgim në Beograd, reagon MPJ-ja

I arrestuar në tetor të vitit të kaluar, shtetasi i Kosovës, Ramadan Maloku, në fund të këtij muaji, pritet të përballet me akuzat për krime lufte.

Prokuroria për Krimet e Luftës në Beograd, ka ngritur aktakuzë ndaj Malokut, në janar të këtij viti, me akuzat se ka kryer krime kundër civilëve, raporton KTV.

Sipas aktakuzës, Maloku, bashkë me persona tjerë ushtarë të UÇK-së, ka keqtrajtuar fizikisht dy fqinjët e tij, Marko dhe Verica Dajiq, në qershor të 1999.

“Njëri prej të uniformuarve ka marrë motoçikletën dhe është larguar. Derisa, i akuzuari Ramadan Maloku, e ka goditur Marko Dajiqin me grusht në kokë e më pas edhe tre pjesëtarë të UÇK-së e kanë rrahur. Më pas, njëri prej pjesëtarëve e ka goditur me pushkë edhe Verica Dajiqin, e ajo humbi vetëdijen, derisa kur është këndellur, Ramadan Maloku i ka thënë se duhet të shkojë në Serbi, duke e sharë. Maloku, me tre pjesëtarë të tjerë të UÇK-së, shkuan deri te një punishte, i mbyllën brenda, derisa Maloku i ka kërcënuar duke u thënë se kur të ktheheni, nëse nuk e dorëzoni pushkën, do të vriteni. Por, para kthimit të tyre, të dëmtuarit ia dolën t’i thyejnë dyert dhe të ikin”, thuhet në aktakuzë.

Derisa i dëmtuari Marko Dajiq, sipas prokurorisë, nuk i është i aftë të dëshmojë, gjithë këtë aktakuzë, Prokuroria për Krime të Luftës në Beograd, e ka bazuar në dy dyshimtare, njëra e dëmtuara Verica Dajiq dhe dëshmitarja tjetër me emrin Dunja Delev.

KTV ka kontaktuar edhe me Ministrinë e Punëve të Jashtme, e cila ka konfirmuar se po monitoron këtë proces gjyqësor, derisa ka kërkuar nga Beogradi që të ndalojë këto sjellje, të cilat MPJ i ka quajtur skandaloze e në kundërshtim me marrëveshjet e Brukselit.

“Është për keqardhje që Serbia vazhdon të ndalojë dhe arrestojë​ qytetarë të Republikës së Kosovës, apo të mbajë në paraburgim të zgjatur raste sikurse i Ramadan Malokut”, thuhet në një përgjigje të kësaj ministrie.

KTV-ja ka kontaktuar edhe me familjen e Ramadan Malokut, i cili është duke u mbajtur në paraburgim në Beograd, të cilët kanë thënë se, përkundër përpjekjeve të tyre dhe ndihmës që kanë kërkuar, askush nga institucionet nuk ua ka ofruar atë.

Në tetor të vitit të kaluar, Ramadan Maloku ishte ndaluar nga policia serbe në pikën kufitare “Dheu i Bardhë”, nën dyshimet për krime lufte.