Për shkak të taksës, anulohet vizita e gjeneralit amerikan Në foto, Orr dhe Haradinaj gjatë vizitës së këtij të parit në vitin 2018

Për shkak të taksës, anulohet vizita e gjeneralit amerikan

Fortuna Shkodra Fortuna Shkodra 10 February 2019 16:31

Rezistenca për të pezulluar taksat ka shkaktuar anulimin e vizitës së komandantit të Gardës Kombëtare të Iowas, gjenerali majorit Timothy Orr. Siç ka marrë vesh Koha.net, zyrtarë të ambasadës amerikane e kanë njoftuar komandantin e FSK-së, gjeneralin Rrahman Rama, se vizita e gjeneralit Orr, e planifikuar të realizohet më 16-18 shkurt, në 11-vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës - është anuluar.

Në një letër informuese, të cilën gjenerali Rama ia ka dërguar presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit, të premten e kaluar, thuhet se në takimin që komandanti i FSK-së e ka pasur atë ditë me atasheun ushtarak të SHBA-së, majorin Christopher Connor, është njoftuar për anulimin e vizitës së gjeneral majorit Orr, dhe se anulimi është bërë si “rezultat i shprehjes së pakënaqësive ndaj vendimit që ka marrë Qeveria e Kosovës”.

Po ashtu, sipas informatës së gjeneralit Rama, “major Connor ka paralajmëruar se programet trajnuese, edukative, dhe vizitat ushtarake të anulohen në ditët në vijim, në rast se Qeveria e Kosovës nuk reflekton lidhur me vendimin e saj”.

Letra dhe përmbajtja e saj është konfirmuar nga zyra e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

“Po, Gjeneral Rama ka dërguar një letër me të cilën e njofton Presidentin Thaçi se SHBA ka anuluar vizitën e Gjeneralit Orr ndërkohë që po shqyrton edhe disa masa tjera. Ky hap thuhet se është ndërmarrë për shkak të mos-vazhdimit të dialogut me Serbinë”, ka thënë për Koha.net Ardian Arifaj, këshilltar i presidentit Thaçi.

Sipas burimeve, informatën e njëjtë e ka marrë edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj. Por, nga Zyra e Kryeministrit nuk kanë dhënë asnjë përgjigje në lidhje me letrën dhe përmbajtjen e saj.

Ndërsa zëvendës ministri i FSK-së, Burim Ramadani, i kontaktuar nga Koha.net, ka thënë se nuk ka asnjë njohuri për letrën dhe anulimin e vizitës së gjeneral majorit Orr.

Portali Koha.net ka provuar që të kontaktojë edhe me gjeneralin Rrahman Rama dhe me Ambasadën Amerikane në Prishtinë, por të dielën këtë e ka pasur të pamundur.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

agroni (Ferizaj).13/02/2019 16:48

Pune e madhe qe qenka anulue vizita, hahahhaha Nuk po na u hajke ma as Buka edhe amerika PO PLAKET.......hahahaha

Shto koment

Të ngjashme