Rezistenca për të pezulluar taksat ka shkaktuar anulimin e vizitës së komandantit të Gardës Kombëtare të Iowas, gjenerali majorit Timothy Orr. Siç ka marrë vesh Koha.net, zyrtarë të ambasadës amerikane e kanë njoftuar komandantin e FSK-së, gjeneralin Rrahman Rama, se vizita e gjeneralit Orr, e planifikuar të realizohet më 16-18 shkurt, në 11-vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës - është anuluar.
Në një letër informuese, të cilën gjenerali Rama ia ka dërguar presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit, të premten e kaluar, thuhet se në takimin që komandanti i FSK-së e ka pasur atë ditë me atasheun ushtarak të SHBA-së, majorin Christopher Connor, është njoftuar për anulimin e vizitës së gjeneral majorit Orr, dhe se anulimi është bërë si “rezultat i shprehjes së pakënaqësive ndaj vendimit që ka marrë Qeveria e Kosovës”.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoPo ashtu, sipas informatës së gjeneralit Rama, “major Connor ka paralajmëruar se programet trajnuese, edukative, dhe vizitat ushtarake të anulohen në ditët në vijim, në rast se Qeveria e Kosovës nuk reflekton lidhur me vendimin e saj”.
Letra dhe përmbajtja e saj është konfirmuar nga zyra e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.
“Po, Gjeneral Rama ka dërguar një letër me të cilën e njofton Presidentin Thaçi se SHBA ka anuluar vizitën e Gjeneralit Orr ndërkohë që po shqyrton edhe disa masa tjera. Ky hap thuhet se është ndërmarrë për shkak të mos-vazhdimit të dialogut me Serbinë”, ka thënë për Koha.net Ardian Arifaj, këshilltar i presidentit Thaçi.
Sipas burimeve, informatën e njëjtë e ka marrë edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj. Por, nga Zyra e Kryeministrit nuk kanë dhënë asnjë përgjigje në lidhje me letrën dhe përmbajtjen e saj.
Ndërsa zëvendës ministri i FSK-së, Burim Ramadani, i kontaktuar nga Koha.net, ka thënë se nuk ka asnjë njohuri për letrën dhe anulimin e vizitës së gjeneral majorit Orr.
Portali Koha.net ka provuar që të kontaktojë edhe me gjeneralin Rrahman Rama dhe me Ambasadën Amerikane në Prishtinë, por të dielën këtë e ka pasur të pamundur.