Arbëri

Edukata seksuale në shkolla mbetet tabu

Fëmijët e të miturit në Kosovë kanë mungesë të konsiderueshme të informatave për edukimin seksual.

Temë kjo që pak diskutohet në familje, gjithashtu as nuk mësohet për të në shkollë, raporton KTV.

Rasti i fundit i abuzimit seksual të një të miture nga Drenasi, ka vënë në pah nevojën që lënda e edukatës seksuale të futet në procesin mësimor.

Me ndryshimin e fundit të kurrikulës, edukimi seksual është futur si kapitull i veçantë në lëndën e biologjisë për klasat e gjashta, ku, deri para një viti, mësohej vetëm nga klasat e nënta.

Vetë arsimtarët thonë se temat që lidhen me seksin janë tema të sikletshme.

Nxënësit thonë se ka mungesë të literaturës, por edhe të informatave nga vetë arsimtarët.

Për psikologët, edukata seksuale nuk është e trajtuar mirë nëpër shkolla.

Sipas tyre, kjo temë është ende tabu për shumicën e mësimdhënësve.

Derisa thonë se nëse ekziston një edukim i mirëfilltë, sidomos seksual, rreziqet për keqtrajtim seksual janë më të vogla.

Ndërkaq Linda Gusia, sociologe ka thënë se “këtë panik morale me përkthy në krijimin e mekanizmave të nevojshëm për mbikëqyrjen e pushtetit, për llogaridhënie, me pas mekanizma ku viktima ka me pas mundësi me fol e sigurt pa u riviktimuzu, mekanizma të cilët i dënojnë keqbërësit, mekanizma të pavarur”.

Rastet e ngacmimeve seksuale në Kosovë janë shpeshtuar kohëve të fundit.

Për rastin e fundit në Drenas, është protestuar të martën në Prishtinë , derisa një protestë tjetër është paralajmëruar për të premten në Drenas.