Darka në shtëpinë e tij të re në Çagllavicë, duket se nuk ka ndihmuar që kreu i shtetit Hashim Thaçi të afrohet në qëndrime me kreun e ekzekutivit, Ramush Haradinaj.
Ndonëse në Kosovë ka kohë që nuk e ka përmendur, e ka zgjedhur Washingtonin që të shkojë një hap përtej me idenë e tij. Për herë të parë, këtë të martë, Thaçi ka pranuar se ideja për korrigjim kufijsh nënkupton lëvizje edhe në veri të Kosovës, e jo vetëm në jug të Serbisë. Deri tash vazhdimisht kishte thënë se Kosova është një dhe e pa ndarë, e se me korrigjim kufijsh po nënkuptonte që Lugina t’i bashkohet Kosovës, raproton Koha.net.
Në një bashkëbisedim në “Council on Foreign Relations” në Washington DC, siç njoftoi Zyra e tij, para një audience të specialistëve të rajonit, Thaçi ka folur për përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje të paqes në mes të Kosovës dhe Serbisë. Aty ka thënë se Kosova nuk do të bëjë marrëveshje që s’e pranon SHBA-ja.
“Nuk do të pranojmë një marrëveshje që nuk është e pranueshme edhe për Washingtonin”, tha Thaçi.
E një pyetje nga diplomati James Pardew, njëri nga përfaqësuesit e SHBA-së për Kosovën në vitet 1999-2001, e ka pyetur aty Thaçin për çështjen e korrigjimit të kufirit.
“Një nga pikat do të jetë edhe demarkimi i kufirit në mes të Kosovës dhe Serbisë. Kjo është mundësi për të korrigjuar kufirin edhe në veri të Kosovës, edhe në jug të Serbisë”, ka thënë Thaçi, përcjell Koha.net. “Nëse një korrigjim i lehtë i kufirit është çmimi për marrëveshje përfundimtare të paqes, atëherë kjo do të duhet të jetë e pranueshme”, u shpreh më tej ai.
Megjithatë, sipas Thaçit, pikat strategjike si Liqeni i Ujmanit, qyteti i tërë i Mitrovicës, Trepça, janë resurse të panegociueshme.

Por një tjetër mik i Kosovës, që s’ka qenë në këtë takim e ka thumbuar Thaçin në Twitter. Analisti Daniel Serwer, teksa ka komentuar Thaçin në twitter në njoftimin që kishte bërë se do të flasë në këtë takim, i ka thënë se është mirë që të ftojë edhe miq që janë kundër idesë së tij.
“Herën tjetër fto edhe miq që mendojnë se propozimi yt për territorin është ide e keqe”, i ka shkruar Serwer.

Asnjë reagim nga klasa politike në Kosovë nuk erdhi pas këtyre deklaratave të Thaçit. Megjithatë, kryeministri Ramush Haradinaj e ka bërë të qartë edhe sot para deklaratës së Thaçit se nuk do të bëhet pjesë e bisedave ku flitet për territorin. Më parë, madje ka shkuar përtej duke thënë se prekja e kufijve nënkupton luftë.
Ftesë për të mos folur për kufijtë Thaçit i ka bërë edhe ish-partia e tij, PDK-ja. Edhe Veseli, bashkë me Haradinajn, Limajn, Pacollin e Edi Ramën, kanë qenë në shtëpinë e re të Thaçit, para se ky të nisej për SHBA, ku ndër të tjera do të marrë pjesë edhe në “Lutjet e Mëngjesit”.

Fatmir Limaj është bashkëdrejtues i dialogut Kosovë – Serbi në Bruksel, ku ka hyrë edhe PSD-ja e opozitës. Njëra ndër përpjekjet kanë thënë se është që Thaçi të mos mundet të bisedojë çfarë të dojë në atë që po konsiderohet faza finale e procesit të normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë.
E kur jemi andej kufirit, në Shqipëri, Thaçi e ka gjetur përkrahjen e parezervë të Edi Ramës, që madje në Prishtinë i kishte quajtur gomarë të gjithë ata që kundërshtojnë idetë e dyshojnë në patriotizmin e Hashim Thaçit. Kategorik kundër është shprehur Sali Berisha, që për dy mandate ka qenë president e për dy të tjera kryeministër i Shqipërisë.