Arbëri

31 shkeljet që Komisioni i evidentoi rreth dëbim të 6 shtetasve turq

Foto: Driton Paçarada

Komisioni Hetimor Parlamentar, i cili është marrë me hetimin e rrethanave të dëbimit të gjashtë turqve nga Kosova për në Turqi, sot ka bërë publik raportin përfundimtar.

Sipas raportit, janë evidentuar një mori shkeljesh e parregullsish. Procesi i dëbimit, siç thuhet në raport, ka qenë në kundërshtim me Kushtetutën, ligjet dhe aktet nënligjore të Kosovës. Pastaj, në kundërshtim edhe me procedurat standarde dhe instrumentet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.

Të njëjtin e ka dërguar brenda ditës në Prokurori Speciale, për hetim të mëtutjeshëm.

Komisioni ka evidentuar 31 shkelje.

Më poshtë i gjeni shkeljet, ashtu siç figurojnë në raport:

(1) Duke zbatuar me automatizëm kërkesën e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (“AKI”) për revokimin e lejeqëndrimeve të shtetasve turq, pa shqyrtuar nëse informacionet e ofruara prej AKI-së plotësonin kriteret ligjore për të qenit “kërcënim ndaj sigurisë kombëtare”, Departamenti për Shtetësi, Azil dhe Migrim (“DShAM”), në kuadër të Ministrise së Punëve të Brendshme, ka shkelur nenin 5 të Ligjit Nr. 05/L-031 për Procedurën e Përgjithshme Administrative (shih Ekspertizën, f. 25–29).

(2) Dëbimi i z. Hasan Huseiyn Gunakan, pa kurrfarë urdhri të ligjshëm, paraqet shkelje të nenit 55, par. 1 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës; nenit 1, par. 1 të Protokollit Nr. 7 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut; dhe nenit 13 të Konventës Ndërkombëtare për të Drejtat Civile dhe Politike (shih Ekspertizën, f. 29–31).

(3) Fakti që nuk është kërkuar zyrtarisht kthimi i z. Gunakan në Republikën e Kosovës pas dëbimit të tij të gabuar, përbën shkelje të nenit 25, par. 1 dhe 2 të Udhëzimit Administrativ (MPB) Nr. 09/2014 për Kthimin e të Huajve me Qëndrim të Paligjshëm në Republikën e Kosovës (shih Ekspertizën, f. 29–31).

(4) Duke marrë pjesë në operacionin për dëbimin e gjashtë shtetasve turq, i cili nuk e kishte për qëllim mbledhjen e informacioneve, zyrtarët e AKI-së kanë tejkaluar fushëveprimin ligjor të AKI-së të përcaktuar me nenin 2, par. 1 të Ligjit Nr. 03/L-063 për Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (shih Ekspertizën, f. 31–33).

(5) Mungesa e një memorandumi të bashkëpunimit ndërmjet Policisë së Kosovës dhe AKIsë, që trajton posaçërisht koordinimin e operacioneve të përbashkëta, paraqet shkelje të nenit 8, par. 2 të Ligjit për AKI, si dhe shkakton pasiguri juridike dhe mbrojtje jo të mjaftueshme të të drejtave të njeriut (shih Ekspertizën, f. 33–34).

(6) Drejtoria për Migrim dhe të Huaj (“DMH”), në kuadër të Policisë së Kosovës, ka nxjerrë urdhra për largim me forcë të gjashtë shtetasve turq, pa plotësuar asnjërin prej kushteve të përcaktuara me nenin 97, par. 1 të Ligjit Nr. 04/L-219 për të Huajt (shih Ekspertizën, f. 34–37).

(7) Urdhrat për largim me forcë u nxorën në bazë të nenit 6 dhe nenit 99, par. 2 të Ligjit për të Huajt, edhe pse asnjëra prej këtyre dispozitave, sipas ligjit, nuk mund të shërbejë si bazë për nxjerrjen e këtij lloj urdhri (shih Ekspertizën, f. 34–37).

(8) Forma e urdhrave për largim me forcë nuk përputhej me kërkesat e nenit 97, par. 8 të Ligjit për të Huajt, i cili përcakton se: “Të huajit i komunikohet në formë të shkruar, në njërën nga gjuhët zyrtare dhe në gjuhën angleze, . . . duke i shpjeguar . . . vendin ku [urdhri] do të ekzekutohet [dhe] mënyrën e transportimit të tij për në vendin e destinacionit” (shih Ekspertizën, f. 34–37).

(9) Disa zyrtarë policorë nuk kanë informuar shtetasit turq për të drejtat e tyre për mbrojtje ligjore dhe për të kontaktuar anëtar të familjes. Ky mosnjoftim paraqet shkelje të Kodit Nr. 04/L-123 të Procedurës Penale, neni 13, par. 1; dhe Kushtetutës së Republikës së Kosovës, neni 29, par. 2 dhe 3 (shih Ekspertizën, f. 37–39).

(10) Disa zyrtarë të tjerë policorë nuk morën masa të duhura për t’i informuar shtetasit turq lidhur me të drejtat e tyre në gjuhën turke, edhe pse këta zyrtarë kishin vërejtur vetë se disa prej shtetasve turq nuk e kuptonin gjuhën shqipe. Kjo paraqet shkelje të nenit 13, par. 1 të Kodit të Procedurës Penale; dhe nenit 29, par. 2 dhe 3 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (shih Ekspertizën, f. 37–39).

(11) Gjashtë shtetasve turq nuk iu ofrua këshillim dhe përfaqësim juridik, gjë që paraqet shkelje të Udhëzimit Administrativ Nr. 09/2014 për Kthimin e të Huajve me Qëndrim të Paligjshëm në Republikën e Kosovës, neni 12, par. 6 (shih Ekspertizën, f. 37– 39).

(12) DShAM-ja, duke mos u angazhuar në operacionin e dëbimit, nuk ka kryer obligimin e saj për të siguruar fletudhëtime për shtetasit turq që nuk posedonin dokumente të udhëtimit. Kjo paraqet shkelje të nenit 8, par. 1 dhe 3 të Ligjit për të Huajt (shih Ekspertizën, f. 39–41).

(13) Divizioni për Ripranim dhe Kthim (“DRK”), në kuadër të DShAM-së, duke mos u angazhuar në operacionin e dëbimit, nuk ka kryer obligimin e tij për të vërtetuar identitetin e shtetasve turq që nuk posedonin dokumente të identifikimit. Kjo paraqet shkelje të nenit 30 të Udhëzimit Administrativ Nr. 09/2014 për Kthimin e të Huajve me Qëndrim të Paligjshëm në Republikën e Kosovës (shih Ekspertizën, f. 39–41).

(14) DRK-ja, duke mos u angazhuar në operacionin e dëbimit, nuk ka kryer obligimin e tij për të organizuar transportin për gjashtë shtetasit turq. Kjo paraqet shkelje të nenit 32 të Udhëzimit Administrativ Nr. 09/2014 për Kthimin e të Huajve me Qëndrim të Paligjshëm në Republikën e Kosovës (shih Ekspertizën, f. 39–41).

(15) DShAM-ja, duke mos u angazhuar në operacionin e dëbimit, nuk ka kryer obligimet e saj të përcaktuara me nenin 37 të Udhëzimit Administrativ Nr. 09/2014 për Kthimin e të Huajve me Qëndrim të Paligjshëm në Republikën e Kosovës, duke përfshirë koordinimin e eskortës së sigurisë, dhënien e ndihmës personale për kthim dhe sigurimin e shoqërimit mjekësor (shih Ekspertizën, f. 39–41).

(16) Për shkak të mosangazhimit të DRK-së, nuk është marrë parasysh dëshira e z. Mustafa Erdem, i cili posedon nënshtetësi të Shqipërisë, për t’u kthyer në shtetin ku dëshironte. Kjo paraqet shkelje të nenit 17, par. 6 të Udhëzimit Administrativ Nr. 09/2014 për Kthimin e të Huajve me Qëndrim të Paligjshëm në Republikën e Kosovës (shih Ekspertizën, f. 39–41).

(17) Duke mos futur të dhënat e gjashtë shtetasve turq në Sistemin e Menaxhimit Kufitar për hyrje dhe dalje, zyrtarët policorë kanë vepruar në kundërshtim me Procedurën Standarde të Operimit për Sistemin e Menaxhimit Kufitar (DOK-05/001/2017, 25 qershor 2017) (shih Ekspertizën, f. 41–44).

(18) Duke mos kontrolluar dokumentet e udhëtimit të gjashtë shtetasve turq, zyrtarët policorë kanë shkelur nenin 15, par. 2 të Ligjit Nr. 04/L-072 për Kontrollin e Kufirit Shtetëror (shih Ekspertizën, f. 41–44).

(19) Zyrtarët policorë vendosën që të lehtësohej kontrollimi kufitar në rastin e gjashtë shtetasve turq, edhe pse nuk plotësoheshin kushtet ligjore për lehtësim të tillë, të përcaktuara me nenin 16, par. 1 dhe 2 të Ligjit për Kontrollin e Kufirit Shtetëror (shih Ekspertizën, f. 41–44).

(20) Duke vendosur vulën katrore në urdhrat për largim me forcë, të cilët nuk përbënin as dokumente identifikimi as dokumente udhëtimi, zyrtarët policorë kanë shkelur nenin 17, par. 1 të Ligjit për Kontrollin e Kufirit Shtetëror (shih Ekspertizën, f. 41–44).

(21) Dëbimi i gjashtë shtetasve turq në një vend ku kishte rrezik real që ata do t’i nënshtroheshin torturës ose dënimeve ose trajtimeve çnjerëzore ose poshtëruese, paraqet shkelje të së drejtës ndërkombëtare zakonore; nenit 3, par. 1 të Konventës kundër Torturës dhe Trajtimeve e Ndëshkimeve të Tjera Mizore, Jonjerëzore dhe Poshtëruese; dhe nenit 3 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (shih Ekspertizën, f. 44–48).

(22) Duke i paraqitur Ministrisë së Infrastrukturës të dhëna të rrejshme lidhur me numrin e pasagjerëve dhe qellimin e fluturimit, kompania ajrore Birlesik Insaat ka shkelur Rregulloren (MI) Nr. 02/2015 për Aprovimin e Fluturimeve Charter dhe Taxi JoHPEA, neni 10, par. 1 (shih Ekspertizën, f. 50–53).

(23) Bashkëpunimi joefikas ndërmjet Ministrisë së Infrastrukturës, Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Policisë Kufitare, ka rezultuar në mosndjekjen e procedurave ligjore për ndëshkimin e kësaj kompanie ajrore. Këto procedura janë të përcaktuara me nenin 97, par. 2 të Ligjit 03/L-051 për Aviacionin Civil (shih Ekspertizën, f. 50–53).

(24) Duke mos nxjerrë vendim përfundimtar lidhur me aplikimin e z. Osman Karakaya për vazhdimin e lejeqëndrimit, DShAM-ja ka shkelur nenin 44, par. 1 të Ligjit për të Huajt (shih Ekspertizën, f. 53–58).

(25) Mosnxjerrja e vendimit përfundimtar në rastin e z. Karakaya gjithashtu e ka privuar atë nga e drejta e ankimimit, e garantuar me nenin 6, par. 3 të Ligjit për të Huajt (shih Ekspertizën, f. 53–58).

(26) Duke mos marrë masat e duhura, deri në ditën e dëbimit, për të njoftuar shtetasit turq lidhur me revokimin e lejeqëndrimeve të tyre, DShAM-ja e ka bërë të pamundur që ata të kontestonin këto revokime. Kjo paraqet shkelje të nenit 108, par. 3 të Ligjit për Procedurën e Përgjithshme Administrative (shih Ekspertizën, f. 53–58).

(27) Duke përzier elemente të urdhrit për largim me forcë dhe urdhrit të dëbimit, DMH-ja ka kufizuar maksimalisht mundësinë e gjashtë shtetasve turq për të ushtruar të drejtën e tyre të ankimimit. Kjo përzierje e dy urdhrave të ndryshëm nuk parashikohet askund në Ligjin për të Huajt, apo në ndonjë akt tjetër normativ, dhe, rrjedhimisht, ka qenë e kundërligjshme (shih Ekspertizën, f. 58–60).

(28) Duke qenë se të gjithë prej gjashtë shtetasve turq jetonin në Republikën e Kosovës me anëtarë të ngushtë të familjes, dëbimi i tyre përpara ushtrimit të së drejtës së ankimimit, paraqet shkelje të së drejtës për respektimin e jetës familjare, sipas nenit 8 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe nenit 36, par. 1 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, lexuar bashkë me nenin 13 të Konventës dhe nenin 32 të Kushtetutës (shih Ekspertizën, f. 61–63).

(29) Gjashtë shtetasit turq u dëbuan përpara ushtrimit të së drejtës së ankimimit, edhe pse nuk ekzistonin arsye të forta të sigurisë kombëtare për t’i dëbuar përpara ushtrimit të kësaj të drejte, si dhe nuk ekzistonte ndonjë domosdoshmëri tjetër për një masë të tillë. Kjo paraqet shkelje të nenit 13 të Konventës Ndërkombëtare për të Drejtat Civile dhe Politike; dhe nenit 55, par. 2 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (shih Ekspertizën, f. 63–65).

(30) Fakti që shtetasit turq nuk u informuan lidhur me bazat faktike mbi të cilat u ishin revokuar lejeqëndrimet, ka penguar ushtrimin e së drejtës së ankimimit në muajt pas dëbimit të tyre, duke paraqitur shkelje të nenit 13 të Konventës Evropiane per të Drejtat e Njeriut; dhe nenit 1, par. 1 të Protokollit Nr. 7 të Konventës (shih Ekspertizën, f. 65–69).

(31) Duke mos informuar Prokurorinë e Shtetit lidhur me dyshimin që gjashtë shtetasit turq po kryenin apo kishin kryer vepër penale, AKI-ja ka shkelur nenin 25, par. 2 të Ligjit për AKI (shih Ekspertizën, f. 72–73)