Arbëri

Abrashi: Kushtetuesja doli me aktvendime skandaloze që vetëm letra i duron - turp

Foto: Facebook

Ish-kandidati i LDK-së për kryetar të Komunës së Prishtinës, Arban Abrashi, ka kritikuar ashpër aktvendimin e Gjykatës Kushtetuese në lidhje me kërkesën e tij për pretendimet për shkelje të të drejtave zgjedhore ndaj tij.

Në një reagim të postuar në Facebook, Abrashi thotë se në aktvendimin e djeshëm, ku Kushtetuesja i dha të drejtë Shpend Ahmetit, kanë ndodhur disa gabime “skandaloze”, ndërsa thekson se kësaj radhe politika ndërhyri që institucionit më të lartë të drejtësisë t’i humbet besimi.

Ky është postimi i Abrashit:

Si shoqëri e kishim një mundësi për ta ndryshuar dhe rikthyer besimin në institucione. Sidoqoftë, jo të gjitha palët vendosen të luajnë me duar të pastra. Politika vendosi të kundërtën, kurse institucionet e pavarura ranë në kurthin e politikës dhe iu dorëzuan presionit.

Disa gabime të aktvendimit skandaloz janë më poshtë:

Me nenin 112 të Kushtetutës përcaktohet e drejta e Gjykatës Kushtetuese për të interpretuar nëse ligjet janë në përputhshmëri me Kushtetutën.

Në rastin tim, Gjykata Kushtetuese vlerësoi se aktgjykimet e aktvendimet e Gjykatës Supreme nuk janë në kundërshtim me nenet 45 dhe 54 të Kushtetutës. Kjo përbën skandal në vete, e ky skandal e kjo praktikë nuk haset në asnjë gjykatë kushtetuese kur vendos për ankesat individuale, por as në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Unë kam kërkuar nga Gjykata Kushtetuese që të konstatoj në bazë të nenit 113.7 të Kushtetutës shkeljen e të drejtave të mia zgjedhore, e jo të më tregoj nëse aktgjykimi dhe aktvendimi i Gjykatë Supreme kanë shkelur nenet 45 dhe 54 të Kushtetutës. TURP!

E nderuar Gjykatë, në rast se nuk ke kuptuar: Unë nuk kam kërkuar interpretimin e përputhshmërisë së ligjit me Kushtetutën, por kam ngritur kërkesën time kundër një autoriteti publik për cenim të lirive dhe të drejtave të mia kushtetuese.

Me këtë rast kërkoj nga i gjithë komuniteti juridik vendor e ndërkombëtar profesional që të hapet debat për këtë aktgjykim skandaloz.

Hartimi i një aktgjykim me shumë faqe, nuk nënkupton e kamuflon fshehjen e pazarit. Ky aktgjykim skandaloz, përfshin gabime amatore që vetëm letra i duron, por asnjëherë ndërgjegjja e rregullat e profesionit.

Mendoni pak për Kosovë, e të rinjtë që me mendje janë jashtë saj.