Këshilli Grevist i stafit mbështetës të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, ka mbajtur sot një takim, pas të cilit ka dalë me një reagim përmes të cilit kërkon tërheqjen e Draft-ligjit për Pagat dhe trajtim të barabartë të këtij stafi me atë të Kuvendit, ose "do t`i përdorim mjetet tona sindikale dhe atë grevën, si mjetin më të rëndë për realizmin e të drejtave tona".
Në reagimin e Këshillit Grevist të Sindikatës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, thuhet se "Në takimin e mbajtur më datë 01.02.2019 të Sindikatës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës –PSRK, si dhe me manaxhmentin e KPK-se, ne stafi mbështetës i PSRK, shprehim shqetësimet tona serioze lidhur me Draft Ligjin për Pagat. Referuar Draft Ligjit në fjalë, shihet se trajtimi i stafit mbështetës të Prokurorisë Speciale nuk është i drejtë, është diskriminues dhe bie ndesh me parimet baze te marrëdhënies kontraktuale, parimin e mos-diskriminimit, bie ndesh me Kushtetutën e Kosovës dhe konventat ndërkombëtare në lidhje me të drejtën për pagë të barabartë dhe të dinjitetshme".
Përveç tjerash, trajtimi i stafit të Prokurorisë Speciale me këtë Draft Ligj është denigrues dhe demotivues për funksionim normal të punës andaj nëse koeficienti për PSRK mbetet ashtu siç është në Draft Ligj, do të vihet në pikëpyetje të madhe një funksionimi efektiv dhe normal i kësaj Prokurorie.
“Siç mund të shihet nga propozimi i fundit i draft Ligjit për paga, pothuajse të gjithë stafit mbështetës të Prokurorisë Speciale u janë zbritur pagat bazë deri në 50%, si dhe janë larguar të gjitha shtesat aktuale, duke përfshirë shtesën për përkrahje të prokurorisë Speciale për stimulim të luftimit të Korrupsionit dhe krimit të organizuar. Për më tepër paga e paraparë në projektligjin e ri të propozuar për paga, do të rrezikoj ekzistencën sociale të stafit mbështetës në PSRK. Prandaj stafi mbështetës i PSRK-së kërkon që pagat e tyre të jenë ekuivalente me pagat e stafit mbështetës të Kuvendit të Kosovës, duke pasur parasysh rëndësinë dhe natyrën e punës në Prokurorinë Speciale, rrezikshmërinë dhe duke u bazuar në faktin se Gjyqësori është ekuivalent me legjislativin dhe ekzekutivin si pushtete të ndara, ashtu siç është përcaktuar ne Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Të mos zbriten pagat e stafit mbështetës si dhe të përfshihen të gjitha shtesat aktuale në Ligjin e ri të pagave si pagë bazë”, thuhet në reagimin e tyre.
Po ashtu, ata kërkojnë të tërhiqet ligji në fjalë nga procedimi për votim në Parlamentin e Kosovës, duke rishqyrtuar atë dhe përmirësuar konform kërkesave të tyre dhe parimeve baze të mos-diskriminimit, pagës së njëjtë për punën e njëjtë, duke u bazuar në rendësin e pozitës dhe vendeve të punës.
“Pa dëshirën tonë, ne jemi te detyruar që me vullnetin tone organizativ se në rast se kërkesa jonë nuk realizohet, do t`i përdorim mjetet tona sindikale dhe atë “GREVEN” si mjetin me të rendë për realizmin e të drejtave tona duke filluar data 04.02.2019 ditë e Hanë, deri në plotësimin e kërkesave tona të drejta, përfundon reagimi.