Arbëri

Veseli takon rektorët, thotë se universitetet s’do të mbyllen por do të zhvillohen

Kreu i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka njoftuar se ka pritur në takim rektorët e universiteteve publike të Kosovës.

Ka thënë se shqetësimet e tyre rreth zhvillimeve të fundit në procesin e akreditimit të programeve akademike, janë shqetësime reale dhe duhet të adresohen për zgjidhje, pa humbur kohë.

“Kuvendi i Kosovës nuk do të lejojë që të cenohet autonomia dhe vazhdimësia e universiteteve publike, as nga ndërhyrjet politike dhe as nga interesat e tjera të ndërlidhura me konkurrencën në arsimin e lartë në Kosovë. Kriter i vetëm i konkurrencës duhet të jetë gara për cilësi reale dhe profilizim universitar, në përputhje me nevojat e ekonomisë së tregut”, ka thënë Veseli, në një postim në profilin e tij në Facebook.

“I siguroj studentët e universiteteve publike se të drejtat e tyre do të mbrohen plotësisht! Ata duhet të vazhdojnë të qetë studimet e tyre. Universitetet publike nuk do të mbyllen. Ato vetëm do të zhvillohen edhe më shumë!”, ka thënë më tej ai.