14:32

Devolli asnjëherë nuk ishte pajtuar t’ia falë borxhin Telekomit, Mustafa deklaroi rrejshëm

Ish-kryeshefi i PTK-së, Agron Mustafa në një paraqitje për media pak muaj pas vendimit të Arbatrazhit i shoqëruar nga pronari i Z-Mobile, Blerim Devolli kishin thënë se me “Devollët” ishin marr vesh që borxhi i përcaktuar me vendimin e Arbitrazhit t’i falet.

Por bazuar në atë çka po diskutohet në seancën gjyqësore mes dy palëve po del që deklarata e menaxhmentit të Telekomit ka qenë mashtrim dhe se Devolli asnjëherë nuk është pajtuar t’i falë borxhet PTK-së, raporton Koha Ditore.

Avokati Virtyt Ibrahimaga që përfaqëson Z-mobile ka thënë që ajo marrëveshje ka qenë marrëveshje për ekzekutim të pagesës.

“Përkundër marrëveshjes për ekzekutim, Telekomi edhe 6 muaj më pas nuk ka filluar ekzekutimin e pagesës për këtë arsye kemi bërë kërkesë në gjykatë për ekzekutim të vendimit”, ka thënë ai.

Ndërkaq Mustafa, dy vite me parë, pak muaj me vonë se vendimi i Arbitrazhit kishte thënë se marrëveshja që e pati arritur me Devollët ia kishte shpëtuar shtetit rreth 32 milionë euro dhe Telekomi do të paguante vetëm shpenzimet e procedurës e që në seancën e se enjtes u tha që është rreth 1 milion euro.

“Ne si Telekom kemi rrezikuar seriozisht falimentimin e Telekomit dhe mbetjen pa paga të 3500 punëtorëve të Telekomit, por tani të gjithë mund të ndihen rehat sepse Telekomi nuk do të falimentojë. Ne do të tregojmë për shumën se sa do të paguhet, por sot kjo gjë nuk do të mund të bëhet”, pati thënë Mustafa.

14:04

Telekomi me 5 mijë euro kamatë në ditë nëse nuk paguan borxhin ndaj Z-Mobile

Pesë mijë euro në ditë është kamata që Arbitrazhi ka përcaktuar shumën në rast se Telekomi refuzon të paguajë borxhin siç është përcaktuar në këtë vendim.

Kalkulimet e gjobës ndaj Telekomit avokati Nushi i ka quajtur skandaloze. Ai e ka kontestuar një klauzolë të Arbitrazhit i cili sipas tij thotë që përveç dënimit kontraktues, përmbushjen e obligimit kontraktues Arbitrazhi ka kalkuar edhe fitimin e humbur në dënimin kontraktues.

“Kjo nuk ndodhë në asnjë legjislacion modern”, ka thënë ai.

13:34

Nis seanca gjyqësore Z-Mobile – Telekomi për 30 milionë eurot e Arbitrazhit

Në departamentin ekonomik të Gjykatës Themelore në Prishtinë ka nisur seanca gjyqësore për shqyrtimin e propozimit për njohjen dhe ekzekutimin e vendimit të tribunalit të Arbitrazhit i cili vendim obligonte Telekomin e Kosovës që të paguajë mbi 30 milionë euro për Dardafon-Net, LLC (Z-Mobile) që është në pronësi të Blerim Devollit.

Në seancë të pranishëm janë avokati i kompanisë Z-mobile, Virtyt Ibrahimaga dhe avokati i Telekomit, Gazmend Nushi. Sipas gjyqtarit Murat Paçarada ka lexuar pretendimet në kërkesën e kompanisë në pronë të familjes Devolli.

Përfaqësuesi i propozuesit që në këtë rast është kompania Dardafon ka thënë se mbesin pranë propozimit për njohje dhe ekzekutimin e vendimit të Arbitrazhit.

Në anën tjetër avokati i Telekomit, Gazmend Nushi ka thënë se procedura në këtë çështje duhet të ndërpritet për shkak se disa zyrtarë e ish-zyrtarë të Telekomit janë në një proces penal pikërisht për këtë çështje.

Nushi i është referuar procesit penal në të cilin janë të përfshirë ish-kryeshefat Agron Mustafa, Ejup Qerimi e ish-kryesuesi Bordit të Telekomit e Rexhë Gjonbalaj ani pse Gjykata Themelore e ka hedhur poshtë aktakuzën ndaj këtyre zyrtarëve.

Megjithatë Prokuroria Speciale këtë vendim e ka apeluar në Gjykatën e Apelit dhe kjo gjykatë ende nuk ka vendosur për këtë rast.

Përfaqësuesi i Z-Mobile ka thënë se PTK-ja çdo ditë që kalon dhe e prolongon ekzekutimin e vendimit të pagesës, PTK do të humb para të tjera në emër të kamatës, kamatë që sipas tij, është ditore për çdo prolongim

Gjyqtari i rastit, Murat Paçarada e ka refuzuar kërkesën e Telekomit për ndërprerjen e kësaj seance.