Edhe një takim tjetër me ambasadorin amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, pritet ta ketë kryeministri Ramush Haradinaj.
Një burim brenda koalicionit qeverisës i ka thënë portalit Koha.net, se ky mund të jetë vendimtar ose për taksën ose për Qeverinë.
Teksa ka folur në kushte anonimiteti, ky burim ka thënë se kjo çështje përfundimisht do të vendoset brenda kësaj jave.
“Kryeministri Haradinaj do të flasë nesër (e enjte) me ambasadorin Kosnett. Do të kenë një takim. Këtë javë do të vendoset a do të hiqet taksa a do të bjerë Qeveria”, ka thënë ky burim.
Portali nuk ka mundur ta konfirmojë nga zyra e Kryeministrit takimin e mundshëm me ambasadorin Kosnett.
Ajo që dihet është se presioni ndaj Haradinajt është shtuar dukshëm. Sot atë e ka telefonuar edhe John Bolton, këshilltari për siguri i presidentit Donald Trump. Se temë e diskutimi ka qenë heqja e taksës e ka konfirmuar në Rubikon të KTV-së, nënkryetari i AAK-së, Ardian Gjini.
“Me sa e di unë është përmendur që kish qenë mirë të pezullohet taksa dhe cila ka qenë pjesa tjetër e bisedës nuk e di. E di se ka qenë bisedë konstruktive”, ka thënë ai.

Para telefonatës me Boltonin, Haradinaj ka shfrytëzuar një ceremoninë e 22- vjetorit të rënies së Heronjve të Kombit, Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu në Junik, për të çuar mesazhe të forta se nuk lëkundet nga qëndrimi i tij për taksën. Ka thënë se po bëhet thirrje të ruhet partneriteti me SHBA-në, por nuk është menduar ky partneritet kur është tentuar shfuqizimi i Gjykatës Speciale. Ai ka thënë se tentimi për shfuqizim të Speciales ishte bërë për vete sepse së bashku me Veselin dhe Hashim Thaçin kishin frikë nga ajo.
“Nëse ne ja çelim derën për 120 ditë, nuk kemi nevojë ma me e mbyll, se ajo nuk e ka më vlerën e vet. Se ai mall që hyn për ato 120 ditë është këtu për 10 vjet”, ka thënë ai.
Në mbrëmje, rreth 3 orë ka zgjatur një takim i krerëve të koalicionit, në zyrën e Haradinajt. Pos tij aty kanë qenë edhe Kadri Veseli i PDK-së, Fatmir Limaj i Nismës e Behgjet Pacolli i AKR-së. Pak detaje janë thënë nga takimi. Të katërtit i janë shmangur gazetarëve që po prisnin jashtë rrethojave të godinës.
Qeveria është mjaftuar me një deklaratë për media, ku ka thënë se në takim është folur ndër të tjera edhe për taksën, por ka garantuar se koalicioni është stabil dhe funksional.
Edhe Limaj ka qenë fjalë pak. Në një postim të tij në faqen zyrtare të Nismës në rrjetin social Facebook, ka thënë se Kosova ka ditur edhe në kohë më të vështira të gjejnë forcë për unitet. Për të ka thënë se po punon edhe tani Limaj, që është edhe bashkëkryesues i Ekipit Shtetëror për dialogun me Serbinë.
Koha.net ka provuar të marrë një qëndrim rreth takimit të mbrëmjes edhe nga Kadri Veseli. E ka pasur të pamundur. Por gjatë ditës, PDK-ja e tij ka shkruar një letër të gjatë ku bëhet thirrje për pezullim të taksës, si dhe del hapur kundër idesë së Haradinajt për një Konferencë ndërkombëtare për Kosovën.