Arbëri

Nenad Rikalo, një jetë aferash

Emri i ministrit të Bujqësisë, Nenad Rikalo, vazhdon të lidhet me afera.

Muaji maj i vitit të kaluar, i nxori në publik përplasjet mes Rikalos dhe kryeshefit të Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë, Elhami Hajdari.

Ky i fundit, pretendonte se Rikalo po i hakmerrej shkaku i një granti që nuk kishte lejuar të përfundonte të një prej bizneseve, në të cilin ishte e përfshirë gruaja e ministrit, e Rikalo pretendonte se i kishte shpëtuar bujqit nga korrupsioni me largimin e Hajdarit.

“Koha Ditore” kishte raportuar për këtë temë në maj të vitit të kaluar, dhe sërish gazeta ka sjellë një hulumtim për një tjetër aferë të Ministrisë së Bujqësisë, këtë herë për 3 milionë euro që jashtëligjshëm u ishin ndarë bizneseve në formë granti.

Dyshime për procesin e ndarjes së këtyre granteve, ku përfitues ka edhe njerëz të lidhur me politikën, kanë edhe zyrtarë brenda kësaj ministrie, që i kanë thënë gazetës se nuk ishin në njohuri për procedurat që janë ndjekur.

Më herët, Rikalos i kishte dalë punë edhe me Agjencinë Kundër Korrupsion, pasi e kishte një biznes të regjistruar, rastësisht në fushën e bujqësisë, të cilin ishte detyruar ta shuajë.

E vetëm katër ditë pasi Ramush Haradinaj si kryeministër kishte prezantuar ministrat e tij, ishte pikërisht Rikalo që mori vëmendjen më të madhe.

Banorët e lagjes Dardania në kryeqytet, e njihnin shumë përpara Rikalon, por jo si komshiun e mirë.

Pretendimet për krime lufte, aktivizuan Prokurorinë, dhe dëshmitarë filluan të merren në pyetje.

Duke tërhequr paralele me situatën ku ishte gjendur një tjetër ministër që vinte nga komuniteti serb, Aleksandër Jabllanoviq, opozita nxitoi që përmes Kuvendit ta shkarkonte Rikallon.

Në debatin e ashpër në Kuvend, tetorin e vitit 2017, Rikallo ishte mbrojtur nga kryeministri Haradinaj.

Mocioni i LDK-së për shkarkimin e tij, kishte marrë 27 vota për, 40 kundër, ndërsa në fillimin e muajit nëntor, Prokuroria Speciale, bëri të ditur se nuk kishin gjetur prova të mjaftueshme se Rikallo ishte i implikuar në krime lufte.

Të gjitha aferat nuk mjaftuan që Qeveria të ndajë rrugët me Rikallon, dhe ka mbetur edhe një rast, pasi lirimin nga detyra të tij, PSD-ja e ka kushtëzuar me votën për buxhetin 2019.

Haradinaj, disa herë është pyetur për shkarkimin e tij, që është një prej 5 kushteve të partisë opozitare, dhe është shprehur për respektim të marrëveshjes, por nuk ka ndërmarrë ndonjë veprim.

subjekti i Rikallos, Lista Serbe, pjesë e koalicionit qeverisës, është në dorëheqje që nga marsi i vitit të kaluar, si reagim ndaj arrestimit të Marko Gjuriqit nga Policia e Kosovës.