Arbëri

Arkeologu e ish-ambasadori Ceka: Opozita të bëjë betejën në Parlament

Situata politike në vend, me opozitën që ka bojkotuar prej kohësh Parlamentin, ka sjellë edhe reagimin e ish-ambasadorit dhe politikanit të njohur, Neritan Ceka.

Ky i fundit, i ka bërë thirrje opozitës se kjo nuk është rruga e duhur që duhet ndjekur. Ceka shpjegon se inatin e ka me Partinë Demokratike, të cilën e cilëson si ish-partinë e tij.

“Natyrisht që ndjej një trishtim për këtë situatë. Përpara se të shkojmë në Evropë duhet të shkojmë në Ballkan. Rama e nisi këtë rrugë që ishte e shtruar përpara dhe e braktisi. Jemi në një rrugë të braktisur të një Ballkani që shef të ardhmen jo të shkuarën. Jo kufijtë e detit, jo varrezat greke, jo braktisja e Çamërisë, këto janë mediokritete të një politike që ka humbur orientimin, – deklaroi Ceka për emisionin “Tempora”. – Inatin nuk e kam me mikun tim të dikurshëm, Rama. Unë nuk i shes miqtë. E kam me ish-partinë time, e kam me PD, që kohën kur duhet të jetë në punë del e bën rolin e gazetarëve, e studentëve, fermerëve ndërkohë që vendi i kësaj partie është në parlament. Do ftoja PD t’i lërë budallallëqet, të kthehet në parlament”.

Ceka bën thirrje për konsensus mes palëve politike dhe e përkufizoi këtë situatë të opozitës si një turp.

“Pa një politikë që të jetë rezultat i një konsensusi, pa një PD që të imponojë ministrin, siç ka imponuar Presidentin nëpërmjet Kuvendit, nuk mund të ecet përpara. Këta zotërinj të mos rrinë më rrugëve, sepse rrogat i marrin tek shteti dhe është turp që nuk bëjnë punën e tyre”, – shtoi ish-deputeti i PD-së/Shqip.