Arbëri

Haradinaj e lidh taksën ndaj Serbisë me sakrificën e heronjve

Kryeministri Ramush Haradinaj edhe sot është shprehur kundër heqjes së taksës ndaj produkteve serbe, duke pohuar se nëse hiqet dorë kaq shpejt nga taksa, do të kërkohen çmime tjera për vendin tonë.

Nën patronatin e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, sot në Gjakovë është mbajtur akademi përkujtimore për dëshmorët dhe martirët e rënë në Bishtazhin dhe Rogovë të Hasit 20 vite më parë.

Kryeministri Haradinaj tha se nuk është e dhimbshme që u vranë gjithë këta djem, por se si u vranë ata.

“Nuk i morën armët, i lanë për ata në zonë, shkuan duar thatë. Vetëm që mos me ua mungu ndonjë armë UÇK-së. E kanë bërë me vetëdije. Jo thoshin se juve ju duhen më shumë se jeni këtu. Shiheni pra se çfarë atdhedashurie e për lirinë. Në atë kohë për të bërë një sakrificë të tillë pa armë, e me uniformë është dashur ta vlerësosh në maksimum. Pas një viti luftë, kishim ardhur në rrethana që ishte problem me gjet një armë”, tha Haradinaj.

Ai tha se nuk kishte ditë më humbëse në Dukagjin, se sa dita kur kishin humbur jetën gjithë këta djem. Ai shtoi se pas 20 vitesh, ndoshta harrohet ky dimension, mirëpo ata që kanë qenë në vijë të luftës ishin shumë të vendosur për liri.

Haradinaj përmendi edhe taksën, duke e lidhur kështu me sakrificën e heronjve.

“Nëse sot e heqim taksën, kjo do të thotë se jemi deri këtu, nuk jemi për të drejtën tonë. Edhe atëherë ka pas njerëz që e kanë ditur çfarë po duan, edhe do të ketë. Mos të harrojë askush se nuk kemi qenë më të dobët, se sa kur jemi përballur me Millosheviqin. Nëse ne heqim dorë shpejtë, do i kërkohen çmime tjera vendit tonë”, ka shtuar Haradinaj.

Ndërsa, kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini tha se gjatë ditës së sotme po ashtu kanë bërë homazhe, për nder të të rënëve.

“20 vjet kanë kaluar, por ndjenja është sikur të ndodhte dje. Janë rrit mbesa, janë rrit fëmijë. Kjo ndjenja që sikur ka ndodhur dje, duhet të na bëjë që mos të harrojmë çfarë ka ndodhur", u shpreh ai.

Në emër të ish-luftëtarëve, foli Dervish Tahiri, e në emër të familjarëve ka folur edhe Gegë Lleshi.