Arbëri

Kosnett: Politika s’ka vend në arsim

Descriptive Text

Numri një i SHBA-së në Kosovë, ambasadori Philip Kosnett, i është bashkuar thirrjes së BE-së, përmes përfaqësueses në Kosovë Nataliya Apostolova, që mos të kërkohet ndërhyrje në punën e Këshillit Shtetëror të Cilësisë.

Kosnett ka thënë se politika s’ka vend në sistemin e edukimit.

“Politika nuk ka vend në sektorin e edukimit. E mbështes fuqishëm deklaratën e Apostolovës se Agjencia e Akreditimit e Kosovës duhet të jetë e pavarur për të siguruar cilësi në edukim”, ka shkruar në Twitter, ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Philip Kosnett.

Kujtojmë se nga dje, të gjitha universitetet publike në Kosovë janë në grevë të përgjithshme, pas ultimatumit një javë që i dhanë Kuvendit dhe Qeverisë së Kosovës për të shkarkuar anëtarët e Këshillit Shtetëror të Cilësisë. Kërkesa e tyre erdhi pas pezullimit të 42 programeve në të gjitha universitetet, e për çka ata deklaruar se është bërë për qëllime politike.

Ndërkaq, po dje, shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova përmes një njoftimi për media ka njoftuar se sot ka takuar anëtarët e Bordit të Agjencisë së Akreditimit të Kosovës (AKK) dhe është informuar për përpjekjet e tyre për të siguruar cilësi në institucionet e arsimit të lartë në Kosovë. Zotimin e tyre, Apostolvoa e sheh si mbresëlënës.

“Bashkimi Evropian shpreh keqardhje për reagimet e disa drejtuesve të universiteteve publike kundër vendimeve të pavarura të Agjencisë. Vendimet e tilla ende nuk janë finalizuar dhe disa prej tyre mund të shqyrtohen më tej nga Komisioni i Ankesave. Asnjëherë nuk duhet avokuar për ndërhyrje politike në punën e agjencive të pavarura. Ishte pikërisht ndërhyrja e autoriteteve që rezultoi me përjashtimin e AAK-së nga Regjistri Evropian i Sigurimit të Cilësisë dhe ka vënë në pikëpyetje anëtarësimin e saj në Asociacionin Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë. Kjo ka pasoja të rënda për studentët e Kosovës, duke dëmtuar aftësinë e tyre për të ndjekur studime ose për të kërkuar punë jashtë vendit”, ka thënë Apostolova në letrën e saj.

“BE-ja përgjatë viteve ka investuar shumë në reforma në arsim në Kosovë, politikisht dhe financiarisht, për të ndihmuar në sigurimin e arsimit cilësor për të rinjtë e Kosovës. Përcaktimi i Agjencisë së Akreditimit të Kosovës për ta zbatuar këtë në praktikë është një inkurajim për Bashkimin Evropian që të rrisë angazhimin në këtë sektor”, thuhej më tej në deklaratën e Apostolovës.

Tutje, shefja e zyrës së BE-së u ka bërë thirrje autoriteteve të Kosovës dhe partive politike “që të mbështesin plotësisht punën tonë të vazhdueshme të reformave në arsim. Agjencia e Akreditimit e Kosovës dhe puna e tyre për të siguruar arsim cilësor për qytetarët e rinj të tyre, është gjithashtu vendimtare dhe kërkon mbështetje politike”.