Arbëri

Ruçi: Më shumë bashkëpunim mes Shqipërisë dhe Malit të Zi

Descriptive Text

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, priti në 28 janar delegacionin e Komisionit për Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Emigrantët të Parlamentit të Malit të Zi, të kryesuar nga Kryetari i tij, Andrija Nikoliq.

Kryetari i Kuvendit vlerësoi bashkëpunimin shumë të mirë midis të dy vendeve tona fqinje e mike. Marrëdhëniet midis të dy vendeve arritën nivelin më të lartë me vizitën para pak ditësh të Presidentit të Republikës Ilir Meta në Mal të Zi. “Vullneti politik për zgjerimin e bashkëpunimit midis të dy vendeve, nënvizoi kryetari Ruçi, duhet të pasqyrohet në rritjen e bashkëpunimit ekonomik e tregtar, duke shmangur zvarritjet e zbatimit të marrëveshjeve të nënshkruara, për të cilat pala shqiptare është shumë e gatshme dhe e përkushtuar për t’i ratifikuar. Ne nxisim qeverinë e Malit të Zi për më tepër investime në zonat e banuara nga shqiptarët, për zbatimin e planeve zhvillimore që mundësojnë hapjen e vendeve të reja të punës, në funksion të ndalimit të emigrimit dhe shpopullimit të këtyre zonave. Gjithashtu sugjerojmë që partive politike shqiptare t’u krijohet më shumë hapësirë përfaqësimi në Parlamentin e Malit të Zi.”

Kryetari i Kuvendit Ruçi mirëpret kryetarin e Parlamentit të Malit të Zi, z. Ivan Brajoviq, në një vizitë të afërt në Shqipëri.