Arbëri

Kalon Kodi i ri i Procedurës Penale

Komisioni për Integrime Evropiane ka votuar projektligjin mbi ndarjet buxhetore për buxhetin e Republikës te Kosovës për vitin 2019 si dhe plotësim-ndryshimin e Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës.

Kryetarja e komisionit Blerta Deliu, tha se projektligji mbi ndarjet buxhetore për vitin 2019, miratohet pas një numri të madh propozimesh për amendamente.

Sa i përket projektligjit për plotësim-ndryshimin e Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës, Deliu tha se nuk janë në kundërshtim me direktivat evropiane dhe se si i tillë duhet që sa më shpejt të shkojë në Kuvend. Ndërsa theksoi se ky ligj ka për qëllim të rregullojë mënyrën e gjykimit të krimeve në mungesë.

Ditë më parë, edhe Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri ka lavdëruar draft Kodin e Procedurës Penale.

Gjatë një prezantimi para mediave ai është ndalur sidomos tek koha e paraparë për hetimin penal, përderisa me Kodin aktual pas nxjerrjes së aktvendimit për fillimin e hetimeve është dy vjet me mundësi të zgjatjes së hetimit për 6 muaj me urdhër të gjykatës me Kodin e ri, afati mund të zgjatet për 2 vite.

Tutje, ai tha se me këtë Kod po rritet efikasiteti në luftën kundër korrupsionit.