Arbëri

Thaçi me paralajmërim – ditët në vazhdim institucionet do të marrin vendime me interes shtetëror

Foto: Koha / ilustrim

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka paralajmëruar se “në ditët dhe javët në vazhdim, institucionet e Republikës së Kosovës do të ndërmarrin veprime dhe vendime në interes shtetëror dhe të forcimit të partneritetit me aleatët tanë ndërkombëtarë”.

Nuk ka dhënë më shumë detaje se për çfarë vendimesh është fjala. Ajo që dihet është se kreu i shtetit dhe kreu i ekzekutivit, Ramush Haradinaj, ka kohë që janë përfshirë në mospajtime rreth disa çështjeve. Haradinaj ka kundërshtuar hapur dhe fuqishëm idenë e Thaçit për korrigjim kufijsh, si marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë. Në anën tjetër, taksa prej 100 për qind e vënë nga Qeveria e Kosovës, e për të cilën kanë ardhur sinjale të forta nga BE-ja dhe SHBA-ja se janë kundër saj, është kundërshtuar së fundi po ashtu nga presidenti Thaçi.

“Të gjitha institucionet shtetërore janë në shërbim të mbrojtjes, avancimit dhe arritjes së qëllimeve tona strategjike shtetërore. Dialogu dhe marrëveshja eventuale paqësore vetëm sa e përshpejtojnë realizimin e synimeve tona për anëtarësim në BE, NATO dhe OKB”, ka thënë Thaçi, përcjell Koha.net. “Këto synime janë të arritshme, për aq kohë sa jemi të bashkuar, pozitë, opozitë dhe shoqëri civile, flasim fuqishëm njëzëri dhe kemi mbështetjen e aleatëve tanë ndërkombëtarë, respektivisht mbështetjen e SHBA-së”, ka shtuar më tej ai.

Ky postim i tij vjen një orë pas atij me shkrirjen e borës, që u komentua si mesazh dhe njëkohësisht si thumb ndaj kryeministrit Ramush Haradinaj, i cili së fundi e ka përdorur këtë si metaforë për të bishtnuar përgjigjes rreth taksës.