3 perditesime
13:41

Varroset Arian Daci

Në varrezat e kryeqytetit, të dielën u varros zëvendësministri i Ministrisë së Diasporës dhe Investimeve Strategjike, Arian Daci, i cili humbi jetën nga një ortek në Brezovicë të shtunën në mesditë.

12:06

Fillon mbledhja komemorative për Arian Dacin

Ka filluar mbledhja komemorative për nder të zv.ministrit Arian Daci.

Kjo mbledhje është organizuar nga kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.

Edi Daci-Prapashtica, motra e të ndjerit Arian Daci, para të pranishmëve në mbledhjen komemorative, ka thënë disa fjalë për të vëllanë, raporton KTV.

“Në emër të familjes, ju falënderoj për përkrahjen dhe ngushëllimet e gjithashtu për prezencën tuaj”, ka thënë ajo.

E teksa ka kujtuar vëllanë Arian Daci, shkurtimisht për të ka thënë “Faleminderit shpirt”.

Image
10:37

Nisin homazhet për Dacin

Është sjellë trupi i pajetë i zv.ministrit Arian Daci, në holl të Kuvendit të Kosovës ku po bëhen homazhe.

Të pranishëm janë edhe familja Daci.

Image

Ka mbërritur edhe kryeministri Ramush Haradinaj, i shoqëruar nga anëtarë të kabinetit qeveritar, i cili si shumë të tjerë, është nënshkruar në librin e zisë.

“Arian ishe i dalluar për vlera njerëzore. Do të na mungosh!”, ka shkruar kryeministri Haradinaj.

I pranishëm është edhe presidenti Hashim Thaçi, kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, dhe një numër i deputetëve të LDK-së, PDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje.

Image
08:23

Sot varroset Arian Daci

Vdekja e zëvendësministrit të Diasporës, Arian Daci, ka pikëlluar shumë njerëz, të afërm, miq e bashkëpunëtorë të tij.

Nën patronatin e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, sot, sipas agjendës që e ka parë Koha.net, me fillim nga ora 10:30 deri në ora 11:45, arkivoli me trupin e pajetë të Dacit do të qëndrojë në hollin e Kuvendit të Kosovës për homazhe.

Image

Ndërkaq, nga ora 12:00 deri në orën 12:30, në Teatrin Kombëtar të Kosovës do të mbahet një mbledhje komemorative, me ç’rast fjalime do të mbajnë kryeministri Haradinaj, zëvendëskryeministri, njëherësh ministër i Diasporës, Dardan Gashi dhe një familjar i të ndjerit.

Në orën 13:00 do të bëhet varrimi i tij me rituale fetare në varrezat e qytetit të Prishtinës, në Arbëri.

Kujtojmë se Daci, që ishte djali i kryetarit të Akademisë së Shkencave të Kosovës, Nexhat Daci, vdiq dje pas një aksidenti tragjik të ndodhur në qendrën e skijimit në Brezovicë pasi u zu nga një ortek bore.