Shala s’mendon që taksa po rrezikon raportet me SHBA-në dhe BE-në, ai thotë “na kuptojnë që jemi detyruar ta vëmë”

Fortuna Shkodra Fortuna Shkodra 26 January 2019 13:00

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, thotë se vendosja e taksës ndaj produkteve serbe dhe boshnjake, po ndikon pozitivisht në Kosovë. Sipas tij, kjo po shihet në zhvillimin ekonomik, hapjen e vendeve të reja të punës dhe në rritjen e prodhimit vendor.

Shala në “Intervistën e Javës” në Koha.net, ka thënë se arsyet që kanë detyruar Qeverinë e Kosovës të marrë këtë masë, janë politike dhe ekonomike, gjithashtu, thotë se taksa mbetet në fuqi derisa të eliminohen të gjitha arsyet që kanë detyruar Kosovën të vë atë.

SHBA-ja dhe BE-ja, vazhdimisht po kërkojnë nga Kosova të tërheqë këtë masë. Madje, SHBA-ja ka paralajmëruar autoritetet e Kosovës se do të përballen me pasoja në rast se nuk e heqin taksën, si parakusht për zhbllokimin e fazës përmbyllëse të dialogut që zhvillohet në Bruksel. Por, Shala deklaratat e ndërkombëtarëve nuk i sheh si rrezik në aspektin politik me Kosovën.

“Unë nuk mendoj ashtu. Edhe SHBA-ja edhe BE-ja si miq të shtetit tonë na kuptojnë se kemi qenë të detyruar të marrim një vendim të tillë. Besoj që presioni në këtë aspekt, duhet të drejtohet kah Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, që të eliminohen arsyet që neve na detyruan të vëmë këtë taksë”, tha Shala.

Në intervistë, Shala flet edhe për gjobat që janë paralajmëruar të shkojnë nga 1 mijë deri në 20 mijë euro për bizneset që nuk vendosin flamujt e origjinës në produkte.

Në një rast që ka ndodhur këto ditë, Shala tregon se Inspektorati ka hasur që në një produkt të njërit nga shtetet që Kosova i ka vënë taksë, i është vendosur flamuri i Kosovës.

“Kjo është cilësuar nga Inspektorati si “tentim për mashtrim” të konsumatorit dhe janë marrë masa menjëherë”, tha ai.

Shala, tutje ka folur edhe për naftën. Kompetencat ka thënë janë te Doganat e Kosovës. Por, siç tha ai, duke ditur se doganat nuk kanë kapacitete që në import të kontrollojnë kualitetin në cilësinë e naftës, ai ka thënë se është duke biseduar edhe me Doganat edhe me Ministrinë e Financave që kjo kompetencë të kthehet në Ministrinë e Tregtisë, ashtu siç e parasheh ligji.

Ka thënë se së shpejti do të fillojnë me inspektime në import të naftës me qëllim të sigurohen që qysh në import të kontrollohen parametrat për kualitetin e derivateve.

Kur ka folur për çmimin e naftës, ka thënë se “është ekonomi e lirë e tregut”. Ka thënë se ka obliguar të gjitha pikat shitëse të karburanteve të publikojnë para hyrjes çmimin e produkteve të naftës që ajo pikë shitëse shet.

“Produktet e naftës shiten me berzë, berza lëvizë, e kjo lëvizje në çmim po reflekton menjëherë tek ne, neve na duhet të marrim masa tjera në ligjin që ne po mendojmë këtë vit ta kalojmë në Kuvend, që MTI-ja të ketë brenda saj institucione tjera, që e ndihmojnë dhe këshillojnë ministrin se si të veprojnë në rastet kur ka lëvizje në berzë që të mos reflektojë tek qytetarët”, tha ai.

Shala foli edhe për prioritetet e tij në dikasterin që drejton. Tha se prioriteti i tij kryesor mbetet mbrojtja e konsumatorit. Por, fokus primar thotë se e ka edhe ligjin për mbrojtjen e investimeve.

Ka thënë se tani Kosova ka mjaftueshëm investitorë. Javën e ardhshme, tha Shala, pritet të shpallet edhe procedura e shpalljes së investitorit të parë që është në fushën e energjisë, e tregoi se ai është investitor gjermano-izraelit. Për sa i përket kompleksit Brezovica, ai ka thënë tani për tani nuk është asnjë investitor që ka shprehur interesim.

Kur ka folur për Nismën Socialdemokrate, ka thënë se kjo parti po funksionon mirë dhe nëse vendi shkon në zgjedhje, do të shkojë e vetme.

“Ne jemi subjekt serioz politik, hyjmë vet në zgjedhje. Por varësisht lëvizjeve, mund të ndryshojmë”, tha ai.

Gjykata ka caktuar për muajin shkurt një seancë ndaj Shalës për rastin e gjuajtjes me armë në odën e Fatmir Limajt. Shala, duke mos dashur të komentojë shumë rreth kësaj çështje, ka thënë shkurt se do t’i përgjigjet ftesës.

“Unë zakonisht gjithmonë i jam përgjigjur gjykatave, vazhdoj t’i përgjigjem. E kam parim dhe nuk flas për diçka që duhet të flasë Gjykata”, tha ai.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme