Konjufca: “Syri i Popullit”, përpjekja e radhës e Thaçit për ta shpallur terroriste VV-në

Konjufca: “Syri i Popullit”, përpjekja e radhës e Thaçit për ta shpallur terroriste VV-në

25 January 2019 00:01

Shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, ka thënë se organizata “Syri i Popullit” që po akuzohet se tentimvrasje dhe planifikim për vrasje të liderëve shtetërorë, është përpjekja e radhës e presidentit Hashim Thaçi që ta shpallë organizatë terroriste Vetëvendosjen.

I pyetur për të komentuar deklaratat e Thaçit në seancë gjyqësore se prapa “Syrit të Popullit” janë Albin Kurti dhe Glauk Konjufca, ky i fundit tha se “kjo tregon për krizën në të cilën është presidenti”.

“Në seancë kam thënë se duhet me e vra dikë? A më keni dëgjuar ju? Sepse unë flas vetëm me zë publikisht. Kjo tregon për krizën që është presidenti. Ai ka menduar gjithmonë ta vë si terroriste VV-në. Ai ka dashur gjithmonë ta shpallë organizatë terroriste Vetëvendosjen. Më 2007 e ka provuar të parën herë, më pas me Astrit Deharin me sulmin në Kuvend e ku aktivistët e VV-së janë liruar të gjithë. Tash ky është rasti i tretë me organizatë fantome. Mendoj se është organizatë e shpikur për ta goditur Lëvizjen Vetëvendosje. Është përpjekja e tretë, por që do të dështojë. Ky është gjykim politik me përpjekjen për të përfshirë Vetëvendosjen, Albinin dhe mua”, ka thënë ai në Interaktiv të KTV-së.

Më tej, Konjufca ka vazhduar se ka informata se çfarë ka folur Thaçi në seancën e mbyllur për media. Këtu ka thënë se ka shkuar në akuza deri në komunikata të UÇK-së.

“Mirë është që gazetarët të gjejnë transkriptin. Do të ishte interesante sepse presidenti gjithçka ka folur. Ka shkuar në akuza deri në komunikatat e UÇK-së se fajin e paska edhe VV-ja. Për ato komunikata me të cilat ai mund të përfundojë në Speciale. Por shpifjet nuk na shqetësojnë”, ka thënë Konjufca, përcjell Koha.net. “Nuk e kam takuar as nuk e di kush është Murat Jashari. As që e kam parë ndonjëherë”, ka shtuar Konjufca.

Sipas Konjufcës, sjelljet e Thaçit tregojnë se ai është në siklet të jashtëzakonshëm, duke e lidhur këtë me mundësinë që ai të përfundojë në Gjykatë Speciale.

“Prej sjelljeve të tij vërehet se ai ka pas siklet të jashtëzakonshëm. Nga dhjetori i vitit 2017 kur provuan të anulojnë Specialen. Ka menduar se VV-në e ka hazër, e çon dorën kundër Speciales, dhe mandej ulet me do ndërkombëtarë e më pas me njërën dorë e mban vendimin e Parlamentit që e fundos Specialen dhe në tjetrën të amnistisë që ky nuk do të thirret në Speciale. Kur të fortët do ia garantonin të dytën, votën e VV-së do ta gjuante në bërllok. Do ta kishte keqpërdor. Ne e njohim mirë. Që kur s’i ndezi kjo, ka kaluar në shkëmbim territoresh”, ka deklaruar ai.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme