Arbëri

Maqedonia i ofron përvoja Kosovës në procesin e integrimit

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, priti sot zëvendëskryeministrin e Maqedonisë Veriore për Integrimin Evropian, Bujar Osmani, me të cilin diskutoi rreth çështjes së dinamizimit të bashkëpunimit të ndërsjellë dhe procesin integrues.

Ajo, sipas njoftimit për media, përgëzoi Osmanin për të arriturat e Maqedonisë në muajt e fundit, duke shprehur gatishmërinë e thellimit të bashkëpunimit.

“Bashkëpunimi ynë duhet të njohë dinamizim dhe përkushtim të shtuar, për çështjet me interes të dy vendeve tona dhe rajonit. Ne duhet të kemi përparime të tjera edhe për proceset dhe rrugën e përbashkët integruese”, theksoi ministrja Hoxha.

Zëvendëskryeministri Osmani theksoi gatishmërinë e ofrimit të përvojave të Maqedonisë në procesin integrues, duke theksuar se gjenden disa hapa përpara në proces dhe këmbimi i përvojave si dhe përkushtimi i shtuar në këtë proces, do të ishte i mirëseardhur për të dyja vendet.