Kryeministri i Republikës së Kosovës të mërkurën ka vizituar disa biznese në qytetin e Pejës.
Vizitat në këto biznese, siç tha ai, po i bën pasi viti 2019 është shpallur si vit i ekonomisë, shkruan sot Koha Ditore. Haradinaj tha se Peja, si një prej qendrave më të fuqishme ekonomike në Kosovë, shquhet për brende të njohura në tregun vendor dhe ndërkombëtar.
Gjatë vizitës që ia bëri një fabrike të përpunimit të drurit, kryeministri i vendit tha se kërkesa në tregun e jashtëm për këto prodhime është e madhe, prandaj, siç shtoi ai, qytetari ynë ka arsye që të orientohet kah konsumi i produkteve tona.
“Të vetëdijshëm se rruga për zhvillim të hovshëm kalon nëpërmjet fuqizimit të prodhuesit vendor, Qeveria, në vitin e ekonomisë do të jetë partner për sipërmarrësit, që ata të jenë zot në vendin e vet’, tha Haradinaj, duke shtuar se Kosova importon mbi 60 milionë euro produkte e orendi nga druri. “Shumë prej këtyre produkteve kishim mundur vetë me i prodhua në Kosovë. Njëkohësisht importojmë qindra milionë euro mish, e këtu kishim mundur me pasë më shumë ferma dhe me ngrënë mishin e këtij vendi. Taksat që vendosëm ndaj mallrave të Serbisë nuk janë bërë prej inatit ndaj dikujt, por është interes i yni nacional. Dhe prodhuesit e vendit në këtë rast duhet me pri me kualitet, me garanci dhe me produkte të sigurta dhe me prodhimet e veta jo veç me mbulua tregun vendor, por edhe me eksportua më shumë’, u shpreh Haradinaj, duke e ndërlidhur këtë produktivitet edhe me vende të reja të punës në sektorin privat.
Në këtë sektor punëtorët nuk trajtohen njëjtë sikur ata që punojnë në sektorin publik dhe këtë Haradinaj nuk e ka të panjohur. (Detajet mund t’i gjeni në numri ne sotëm të Kohës Ditore)