Hoxhaj për mediat boshnjake: Taksa mbetet në fuqi derisa nuk pushojnë arsyet që çuan në vendosjen e saj

Hoxhaj për mediat boshnjake: Taksa mbetet në fuqi derisa nuk pushojnë arsyet që çuan në vendosjen e saj

23 January 2019 12:37

Zëvendëskryeministri i Kosovës në një intervistë dhënë medias boshnjake Avangarda ka folur për taksën që Kosova ka vënë ndaj produkteve që vijnë nga Serbia dhe Bosnja, si dhe motivet në lidhje me këtë masë.

Hoxhaj tha se motivet për vënien e taksës kanë qenë më shumë të politikës së jashtme sesa ekonomike.

“Kur je një shteti i ri dhe i vogël, dhe kur një fqinj si Serbia vazhdimisht e godet sovranitetin e jashtëm të Kosovës me fushata kundër njohjes dhe bllokada ndaj Kosovës për anëtarësimin në organizata ndërkombëtare, duhet përdorur atë që kemi në dispozicion, ta ushtrojmë sovranitetin e brendshëm duke vënë masa ekonomike dhe duke përcjellë mesazh të qartë në raport me Serbinë”, ka thënë Hoxhaj.

Ai tha se taksa do të mbetet në fuqi deri sa nuk pushojnë arsyet që e kanë detyruar Kosovën të marrë vendim të tillë.

“Gjatë vitit 2017 dhe 2018 Serbia ka ushtruar agresion diplomatik ndaj Kosovës, duke bërë përpjekje t’i bllokojë njohjet e Kosovës apo edhe t’i bindë vendet që tashmë e kanë njohur Kosovën ta tërheqin vendimin, sikurse ka bllokuar edhe anëtarësimin e Kosovës në Interpol. Prandaj, reagimi ynë ka qenë i domosdoshëm, dhe vendimi që kemi marrë do të mbesë në fuqi derisa nuk pushojnë arsyet që kanë shtyrë në marrjen e atij vendimi”, ka deklaruar Hoxhaj.

Hoxhaj theksoi se BE-ja dhe shtetet anëtare të saj nuk e kanë ushtruar ndikimin e tyre në raport me Serbinë për ta penguar një fushatë të tillë, gjë që janë të obliguar ta bëjnë nga Marrëveshja për Stabilizim Asociim, sipas së cilës BE-ja duhet ta ndihmojë Kosovën për t’u bërë pjesë e institucioneve demokratike ndërkombëtare. Tha se kjo është mjaft shqetësuese për Kosovën.

“Bashkimi Evropian duhet t’i trajtojë vendet e Ballkanit në mënyrë më të balancuar”, tha ai.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme