Arbëri

Apostolova: Këtë vit lansojmë projektin në vlerë 600 mijë euro për barazi gjinore

Shefja e Zyrës së BE-së, Nataliya Apostolova, ka nisur sot serinë e debateve “Bisedimet e BE-së mbi barazinë gjinore”.

Debati i parë që u zhvillua në këtë kuadër ishte "Gjinia dhe njerëzit me nevoja të veçanta", ku u tha se njerëzit me nevoja të veçanta po vazhdojnë të përballen me një mori sfidash në baza ditore.

Me këtë rast, shefja e Zyrës së BE-së tha se në takimet me kryeministrin Ramush Haradinaj, ka parashtruar nevojën për buxhet për strehimin e grave që janë të prekura nga dhuna në familje, ku shtoi se për këtë kanë gjetur mirëkuptim. Ajo bëri të ditur se 129 femra janë viktima të dhunës familjare që janë raportuar në Kosovë mes muajit janar - shtator të vitit 2018.

"Jemi të interesuar në vendimmarrje shoqërore dhe forcimin e tyre në tërë shoqërinë. Zyra e BE-së është e përkushtuar në këtë çështje dhe vetëm këtë vit ne do të lansojmë një projekt prej 600 mijë euro për barazinë gjinore. Njerëzit me nevoja të veçanta ballafaqohen me sfida në baza ditore, problemin me qasje në organet publike, në arsim etj. Nga komuniteti i njerëzve me nevoja të veçanta e që janë femra ballafaqohen dyfish me diskriminim", u shpreh ajo, përcjell kp.

Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, u shpreh se me gjithë raportet e mira që dalin, ka mungesë të implementimit të rekomandimeve të këtij institucioni.

"Llogaridhënia mbetet zero, jo vetëm në fushën e barazisë, por edhe në fushat e tjera. Në radhë të parë duhet të aktivizohet Kuvendi i Kosovës që të mbajë llogaridhënien. Në Kosovë është një moment i rëndësishëm për të rishikuar sistemin, pasi sistemet në vend po gjenerojnë pasoja", theksoi ai.

Elvana Shala, ambasadore e vullnetit të mirë në Kosovë, tha se personat me nevoja të veçanta përballen me sfida të shumta në shumë sfera.

Ndërsa Habit Hajredini nga Zyra për Qeverisje të Mirë, tha se pavarësisht përparimeve, nevojitet përkrahje më e madhe institucionale.

Naime Dumnica nga Handikos, u shpreh se personat me aftësi të kufizuara po ballafaqohen me sfida të shumta, si në shkollim ashtu edhe në punësim. E sipas saj, tek femrat me aftësi të kufizuara, është edhe problemi i trashëgimisë në pronë.