Hoxha: Liberalizimi i vizave është në zonën e debateve të zjarrta Foto: Koha

Hoxha: Liberalizimi i vizave është në zonën e debateve të zjarrta

Fortuna Shkodra Fortuna Shkodra 19 January 2019 13:00

Ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha, ka thënë se janë shumë rrethana që e kanë lënë Kosovën të fundit në procesin integrues evropian nga shtetet e rajonit. Sipas saj, kanë ndikuar aspektet historike e gjeopolitike. Së pari, thotë ajo, janë aspektet e shtetformimit dhe institucionet e reja shtetërore.

Hoxha në “Intervistën e Javës” në Koha.net, ka thënë se megjithëse Kosova dështoi të marrë liberalizimin gjatë 2018-ës, ashtu siç u premtua, lobimi do të vazhdojë.

“Po, do të lobojmë, nuk do të ndalemi sepse procesi integrues nuk përfundon me liberalizim, intencat tona janë integrimi i plotë në vlerat euro-atlantike. Kjo, gjithsesi do të marrë kohë, por, nuk do të ndalemi”, tha ajo.

Gjermania, në parim, është deklaruar pro liberalizimit të vizave. Por, Hoxha thotë se e ka parë një besim edhe në takimet që ka zhvilluar në Francë.

Hoxha, këtë herë nuk ka përmendur ndonjë afat rreth liberalizimit. Ka thënë se afatet janë në duar të vendeve anëtare të Komisionit për punë të brendshme të BE-së, të cilat hartojnë rendin e ditës, të harmonizuar paraprakisht si çështje që merr shumicën e cila edhe miraton kur vihet në rendin e ditës.

Prioritet i kësaj Ministrie, Hoxha thotë se mbesin ato të vitit të kaluar, deri në integrimin e plotë brenda BE-së, zbatimi i MSA-së dhe reformave juridike, ekonomike e institucionale. Sa i përket takimit të radhës së Dialogut të Nivelit të Lartë, Kosovë – BE, që e kishte paralajmëruar Hoxha, ajo tha se janë në pritje të përgjigjes nga instancat e BE-së.

Koha.net: Znj. Hoxha, e nisim këtë bisedë me taksën që ka vënë Qeveria e Kosovës ndaj mallrave serbe. SHBA-ja dhe BE-ja po kërkojnë shfuqizimin e menjëhershëm. Çka mund të pritet?

Hoxha: Qeveria ka mandat dhe obligim të mbrojë interesin e qytetarëve të Kosovës dhe shtetin e Kosovës, në çfarëdo situate, edhe me rastin e taksës dhe bashkëpunimin me aleatët tanë, dhe që nuk bën të lejojmë assesi që aleanca dhe partneriteti me ShBA të lëndohet.

Koha.net: Kryeministri Haradinaj, të hënën, pas kërkesës së SHBA-së për heqje të menjëhershme të taksës, u duk pak më i zbutur në qëndrimin e tij për heqjen e saj. A mund të ndodhë kjo pa u arritur marrëveshja Kosovë-Serbi, gjegjësisht pa u njohur pavarësia e Kosovës nga Serbia?

Hoxha: Nuk mund të komentojë për vendimet e Kryeministrit, por, gjatë tërë mandatit, kam ofruar bashkëpunimin e plotë për realizimin e programit qeveritar dhe promovimin e shtetit dhe shtetësisë së Kosovës. Prioriteti ynë dhe konsensusi nacional është procesi integrues euro-atlantik. Kjo është çështja e përgjegjësive të mia, procesi integrues dhe reformat e Agjendës Evropiane. Kosova është e përkushtuar për dialog, dhe për këtë qëllim e kemi formuar ekipin për dialog.

Koha.net: Çfarë rezultati prisni nga takimet e Ekipit Shtetëror në Bruksel rreth dialogut me Serbinë?

Hoxha: Ekipi Shtetëror është përgjegjës për vijimin e dialogut, konform marrëveshjeve tona të arritura dhe të votuara në Kuvend. Dialogu me palën serbe, deri në avancimin e proceseve te njohja e ndërsjellë, as nuk mund të jetë e lehtë, as e shpejtë. Pala serbe, sikur do të shlyejë historinë e re të Kosovës dhe krimet kundër njerëzimit të kryera nga ajo në Kosovë. Vetëdija hegjemoniste e kolonialiste në politikën e Serbisë, është ende me dominim dhe prapakthyese, nuk pres që ky proces në politikën e vendit fqinj të zhduket brenda natës.

Koha.net: Keni qenë shumë premtuese në liberalizim vizash gjatë 2018-s. Më pas edhe jeni kritikuar që nuk ndodhi. Çfarë mund të na thoni rreth kësaj?

Hoxha: Institucionet tona, lokale dhe qendrore, nga viti 2012, që nga marrja e Udhërrëfyesit, kanë qenë të përkushtuara dhe të angazhuara në realizimin e atyre kushteve shkronjë për shkronjë. Këtë e kemi arritur. Detyrat tona janë kryer me sukses. Vendet e veçanta në Komisionin Evropian, nuk treguan konsekuencë në vendimet e veta, sepse, për të arritur deri aty, ka kaluar të gjitha nivelet e vendimmarrjes, që nga Komisioni LIBE, Parlamenti Evropian dhe referimet pozitive të të gjithë Raportuesve dhe Komisionarëve për arritjet tona. Ky është tregim i jokonsekuencës së vendeve të caktuara dhe vlerave mbi të cilat ekziston BE-ja. Ne nuk do ta ndalim përkushtimin për liberalizimin e vizave dhe zbatimin e MSA-së, duke u ndjerë pjesë e vlerave evropiane, që nga ekzistenca jonë si popull.

Koha.net: Pastaj, është kërkuar edhe shkarkimi juaj?

Hoxha: Shkarkimi si çështje është i lidhur me mos përmbushjen e detyrave dhe obligimeve apo referim joreal të gjendjes për procesin. Këto, nuk janë pjesë e asaj që sinjalizon shkarkimin apo dorëheqjen si akt moral, sepse, të gjitha detyrat tona janë realizuar dhe faji fare nuk qëndron në anën tonë të fushës së veprimit por të shteteve veç e veç që ndikohen nga shumë faktor, të brendshëm e të jashtëm të vendeve respektive.

Koha.net: A do të loboni më rreth liberalizimit?

Hoxha: Po, do të lobojmë, nuk do të ndalemi sepse procesi integrues nuk përfundon me liberalizim, intencat tona janë integrimi i plotë në vlerat euro-atlantike. Kjo, gjithsesi do të marrë kohë, por, nuk do të ndalemi.

Koha.net: Së fundmi, Gjermania, në parim, është deklaruar pro liberalizimit të vizave. Prisni edhe nga ndonjë vend tjetër që Kosova të marrë mbështetje, p.sh. nga Franca e Holanda?

Hoxha: Po ashtu, në Francë kam pasur besim të madh nga takimet e kryera me përgjegjësit e procesit, përgjegjësit e institucioneve madhore, kishte dilema që nuk varen nga faktorët e lidhur me Kosovën, emigrimi si çështje është çështje e thyerjes së shtizave elektorale, të partive të ndryshme në mbarë Evropën. Mos liberalizimi, nuk lidhet me emrin dhe rrethanat e Kosovës, por me çështjet e brendshme të vendeve mike të cilat janë edhe promovuese të shtetit dhe shtetësisë së Kosovës.

Koha.net: Pse sipas jush, Kosova po mbetet e fundit në procesin integrues evropian nga shtetet e rajonit?

Hoxha: Janë shumë rrethana që na lënë në këtë pozitë, së pari aspektet e shtetformimit dhe institucionet e reja shtetërore, ne kemi vetëm 10 vjet pavarësi. Kemi të kaluar pa ndonjë traditë të shquar administrative e shtetërore, përkundër angazhimit maksimal të arrijmë vendet e rajonit. Çështjet janë të lidhura me faktorët objektiv, kapacitetin tonë të ecim me hapa më të shpejtë. Pra, ne është dashur të ngrihemi së pari në këmbë si shtet dhe të ecim krahas shteteve dhe vlerave evropiane, në rajon dhe më gjerë. Pra, aspekte edhe historike e gjeopolitike.

Koha.net: Komisioni për Marrëdhënie me Jashtë i PE-së, në Rezolutën për përparimin e vendeve të Ballkanit drejt anëtarësimit në BE, te Kosova flet për korrupsion. Ngrihen shqetësime për përhapjen e korrupsionit, ndërhyrjen në gjyqësor si dhe elemente të shtetit të kapur. Sa besoni se me gjitha këto, mund ta arrijmë liberalizimin, dhe, a i bie kjo që nuk po luftohet mjaftueshëm korrupsioni?

Hoxha: Sintagma “shtet i kapur”, nuk është i zbuluar në vendin tonë, këtë e kanë proklamuar diktatura komuniste dhe fjalori opozitar gjithandej vendeve evropiane. Prandaj mbahen zgjedhjet dhe qytetarët ia japin besimin subjekteve dhe personaliteteve të besueshme. Institucionet ndërtohen nga ai besim. Opozita gjithandej Evropës, e lufton pozitën me terma antiglobal, anti klientelë, anti korporata etj. Duke rizgjuar fuqitë e qytetarëve te kutia e votimit. Nuk e mendoj se vendi ynë shquhet për këtë fenomen negativ. Ne, mund të bëjmë edhe krahasime. Nuk ma merr mendja se gjendja jonë është më e keqe se në disa vende që gëzojnë liberalizimin apo janë në proces disa hapa para nesh.

Koha.net: Më herët, si ministri keni kërkuar që politika mos të ndërhyjë në sistemin gjyqësor. Sipas jush, a po zbatohet kjo kërkesë juaja?

Hoxha: Shtetet pa traditë të gjatë, kanë rreziqe të shumta, ndër to është ndikimi në gjyqësor, si hallka më e ndjeshme e demokracisë, është më e lehta për komentim dhe për goditje në funksionimin e dëshirueshëm institucional. Konsideroj se efikasiteti i gjykatave tona, nuk dallon nga ato në rajon, ose së paku nga vendet ish komuniste. Kjo nuk na lehtëson vlerësimin por ekzagjerimet nuk i bëjnë mirë demokracisë. Kemi bërë reforma të jashtëzakonshme të cilat ende po vazhdojnë në sektorin e sundimit të ligjit. Të gjitha këto veprime po prodhojnë rezultate të cilat po vlerësohen edhe nga Brukseli.

Koha.net: Po Ministria që drejtoni ju znj.Hoxha, si e vlerësoni se po funksionon?

Hoxha: Unë, jam angazhuar për dinamizimin e punës në proces, liberalizimin e vizave si dhe zbatimin e reformave nga Agjenda Evropiane dhe MSA-ja. Ne nuk do të lavdërohemi, por nuk do të jem modeste e të mos theksoj se puna jonë është vlerësuar në instancat vendimmarrëse në BE dhe institucionet tjera vlerësuese ndërkombëtare.

Koha.net: Mund të thuhet se kjo Ministri, ka qenë e heshtur kohëve të fundit. Cilat janë prioritetet e dikasterit që ju drejtoni gjatë këtij viti?

Hoxha: Prioritet e vitit të kaluar, mbesin të qëndrueshme, deri në integrimin e plotë brenda BE-së, zbatimi i MSA dhe reformave juridike, ekonomike, institucionale, duke përafruar vendin tonë me BE-në, duke ngritur cilësinë e gjithmbarshme të shtetit tonë me legjislacion dhe praktikat më të mira, konform të arriturave në BE dhe standardeve më të larta demokratike.

Koha.net: Në fund të 2018-s, keni thënë se do të krijoni një platformë politike për të filluar negociatat me Komisionin Evropian lidhur me avancimin e agjendës Evropiane të Kosovës drejt statusit të kandidatit. Ku qëndron Kosova në këtë aspekt?

Hoxha: Jemi duke shtuar angazhimin edhe në këtë drejtim. Ne e kemi vendin brenda institucioneve evropiane, në të gjitha nivelet. Për këtë, kemi mjaft argumente. Jo gjithherë, mungesat janë pasqyrë e kapacitetit tonë. Do parë gjërat me optimizëm. Ashtu do të jemi deri në integrimin e plotë të vendit tonë, jo vetëm me negociata dhe platforma të harmonizuara të përbashkëta për ngritjen e cilësisë së raporteve tona me BE-në.

Koha.net: Znj. Hoxha, keni thënë gjithashtu se mund të mbahet një takim i radhës i Dialogut të Nivelit të Lartë, Kosovë – BE. Kur do të mbahet dhe çfarë mund të pritet nga ky takim?

Hoxha: Jemi në pritje të përgjigjes nga instancat e BE-së, ne meritojmë më shumë vlerësim dhe pjesë në të mirat që ofron BE-ja për qytetarët e vet, gjegjësisht për aspirantët si vendi ynë. Liberalizimi ishte një gjendje e pashpjegueshme e ngecjes së ecurive të deritashme në këtë proces. Konsideroj se kjo na ka kthyer në një realitet të cilin ne nuk e kemi dëshiruar as merituar. Të jemi të fundit në Evropë për lëvizjen e lirë, flet mjaft. Presim vlerësim dhe mirëkuptim për nevojat e qytetarëve tanë. Institucionet e dinë barrën dhe përgjegjësinë në proces dhe i përgjigjen me kompetencë sfidave të këtij procesi.

Koha.net: Tani që dialogu Kosovë-Serbi ka ngecur, sa mund të presim përkrahje nga BE-ja në reformat euro-integruese?

Hoxha: Reformat euro integruese nuk varen nga dialogu. Reformat fuqizojnë qytetarët tanë të jenë kompatibil me situatat që i presin brenda vlerave të BE-së si sundimi i ligjit, tregu i lirë, konkurrenca dhe arsimi, mirëqenia e qytetarëve dhe vlerat tjera të gjithmbarshme ekonomike, kulturore e teknologjike.

Koha.net: Në fund, sërish për vizat: A do të jepnit më afate për liberalizim?

Hoxha: Afatet janë në duar të vendeve anëtare të Komisionit për punë të brendshme të BE-së, të cilat hartojnë rendin e ditës, të harmonizuar paraprakisht si çështje që merr shumicën e cila edhe miraton kur vihet në rendin e ditës. Ndikimi ynë, në rrethanat aktuale, nuk ka rëndësi sa do të duhej të kishte sepse problemet e brendshme prevalojnë në këto situata. Asnjë nga qeveritë, nuk merr rrezik të brendshëm për promovimin e migrimit i cili nuk është rrezik që vije nga qytetarët tanë, por migrimi ilegal që ngrit tensione të brendshme dhe mosdurueshmëri të nxitura nga fushatat e brendshme dhe atmosfera e jo tolerancës ndaj të huajve. Pra, liberalizimi si çështje, është në zonën e debateve të zjarrta me ndikim në zgjedhjet e brendshme në shumë prej vendeve të BE-së. As këtu, çështja jonë nuk vije si shkak por si pasojë e zhvillimeve tjera, jashtë kontekstit tonë, jashtë domenit të ndikimit të Kosovës në ato procese.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Ramiz Bujupi21/01/2019 13:22

Plotesoni detyrat e shtepise dhe shmanguni justifikimeve pa kuptim. Duhet nje ndryshim radikal tek perceptimi i vetpelqimit te klases politike,per momentin ne shesim mjegull dhe duam note me te larte.

Shto koment

Të ngjashme