Shërbyesit civilë në Mitrovicë e Vushtrri paralajmërojnë grevë

Shahadije Bikliqi Dragaçina Shahadije Bikliqi Dragaçina 18 January 2019 19:18

Xhylsim Peci tash e një kohë të gjatë, punon si inxhinier në Drejtorinë e Urbanizmit në Komunën e Mitrovicës së Jugut.

Për punën që ai bën në fushën e gjeodezisë, merr një pagë prej 450 eurosh, raporton KTV.

Me projektligjin e ri për paga, i cili pritet të miratohet në Kuvend, atij dhe shërbyesve të tjerë civilë, jo vetëm se nuk do t’u rritet paga, por do t’u ulet.

Për të dhe kolegët e tjerë të tij koeficienti i përcaktuar është diskriminues.

Koeficienti i ulët i cili i lë të fundit nivelin lokal, krahas të gjitha kategorive të tjera në nivel qendror, i ka shtyrë shërbyesit civilë që të mendojnë për të hyrë në grevë nga java e ardhshme.

Kjo, nëse komisioni përkatës parlamentar nuk i merr për bazë kërkesat e tyre që të bëjë ndryshimet e nevojshme të këtij projektligji deri më 21 janar.

Kësaj sindikate i është bashkuar edhe ajo e komunës së Vushtrrisë, pasi të njëjtit ndihen të diskriminuar me koeficientin që thonë se është tejet i ulët.

Kryesindikalistët kanë paralajmëruar se grevës pritet t’i bashkohen edhe komuna të tjera.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme